Tjetër raketë balistike ndaj Turqisë, Ministria e Jashtme: Dënojmë sulmin! Irani vijon të përshkallëzojë konfliktin

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përmes një reagimi në rrjetin social X , dënon sulmin e fundit me raketë balistike të Iranit në hapësirën ajrore të Turqisë.
Sipas MEPJ, Republika Islamike e Iranit vijon të përshkallëzojë konfliktin, ndërsa shton se, edhe një herë, NATO ka dëshmuar aftësinë e saj të jashtëzakonshme dhe reagimin e shpejtë në mbrojtje të Aleatëve dhe të sigurisë së tyre.
Reagimi i plotë:
Republika Islamike e Iranit vijon të përshkallëzojë konfliktin, duke sulmuar jo vetëm fqinjët e saj në Lindjen e Mesme, por edhe duke vënë në shënjestër Turqinë.
Edhe një herë, NATO ka dëshmuar aftësinë e saj të jashtëzakonshme dhe reagimin e shpejtë në mbrojtje të Aleatëve dhe të sigurisë së tyre.
Shqipëria dënon fuqimisht sulmin e fundit me raketë balistike të regjimit iranian kundër Turqisë, një partner strategjik i Shqipërisë dhe Aleat i çmuar në NATO. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të territorit, sigurisë dhe unitetit të Aleancës.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, në një deklaratë të ditës së sotme, shprehej se, municionet balistike të lëshuara nga Irani në hapësirën ajrore turke u neutralizuan nga NATO, përmes forcave të vendosura në Mesdheun Lindor.
“Të gjitha masat e nevojshme po ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim kundër çdo kërcënimi të drejtuar ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të vendit tonë. Po zhvillohen konsultime me vendin përkatës për të sqaruar të gjitha aspektet e incidentit. Të gjitha zhvillimet në rajon po monitorohen dhe vlerësohen nga afër, duke pasur si përparësi kryesore sigurinë kombëtare”, thuhej në një deklaratë të ministrisë turke të mbrojtjes.
Inkursione të ngjashme të mundshme u shënuan edhe më 4 dhe 9 mars, ku në të dyja rastet u neutralizuan gjithashtu nga elementët e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s.