Kurbin, forcim i bashkëpunimi institucional për sigurinë në shkolla

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Në ambientet e bashkisë Kurbin u zhvillua sot një takim në kuadër të programit “Siguria në Shkolla”, me pjesëmarrjen e zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Arben Curri, shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve në Volum, Artur Cara, përfaqësuesve të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrës Arsimore Kurbin, sektorit të shërbimit psiko-social, punonjësve të policisë, drejtorëve të shkollave, punonjësve psiko-socialë dhe oficerëve të sigurisë.
Takimi u përqendrua në identifikimin e problematikave që lidhen me sigurinë në institucionet arsimore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe trajtimin e ngjarjeve që përfshijnë nxënësit, si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve shkollore.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e komunikimit të menjëhershëm dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si një element kyç për parandalimin e konflikteve dhe adresimin në kohë të çdo problematike që lidhet me nxënësit.
Gjithashtu, u ra dakord për një monitorim të vazhdueshëm të zonave përreth shkollave, në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë, oficerëve të sigurisë, stafit pedagogjik dhe aktorëve të tjerë lokalë.
Në këtë kuadër, po shqyrtohet edhe mundësia e vendosjes së kamerave të sigurisë në rrugët përreth institucioneve arsimore, për të garantuar një mjedis më të sigurt për nxënësit dhe komunitetin shkollor.
Policia e Lezhës konfirmon angazhimin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet arsimore dhe pushtetin vendor, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë, të sigurt dhe të mbrojtur për nxënësit dhe gjithë komunitetin shkollor.
/gj.m/j.p/