E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti: Anëtarësimi në NATO mbetet thelbësor për sigurinë e Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë Samitit vjetor të Procesit të Berlinit, i cili u zhvillua në Londër, se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Aleancën Euroatlantike të Sigurisë (NATO) do të mbyllte një boshllëk të rrezikshëm në sigurinë e Evropës.

Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se Londra mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, ashtu siç ndodhi me Gjermaninë, e cila i dha jetë Procesit të Berlinit.

“Ne po takohemi në një kohë kur Evropa është kaq e begatë, por njëkohësisht kurrë më parë nuk është sulmuar kaq shumë. Kërcënimi në rritje i autoritarizmit, si jashtë ashtu edhe brenda kontinentit tonë, është një sfidë që Evropa e njeh shumë mirë”, tha Kurti në nisje të fjalës së tij.

Ai shtoi se, “teksa shënojmë 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe 75 vjetorin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, na kujtohet se paqja, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk janë të garantuara – ato duhet të mbrohen dhe të rifreskohen vazhdimisht nga çdo brez. Prandaj, na duhet një ndjenjë e fortë uniteti, mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i përballuar si presionet e jashtme, ashtu edhe dyshimet e brendshme”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës u shpreh se “një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide”.

Ai theksoi se për të frenuar ndikimin rus dhe kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum. “Kur Komisioni Evropian ndali procesin e zgjerimit në vitin 2014, Berlini mori nismën duke krijuar formatin “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” përmes Procesit të Berlinit, me qëllim që rajoni të mbahej afër BE-së. Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime dhe vlera të përbashkëta dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta”, nënvizoi Kurti.

Ai renditi arritjet e Kosovës gjatë pesë viteve të fundit: “Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar”.

Në fund, ai u ndal tek sulmi në Banjskë: “Megjithatë, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiç ka pranuar përgjegjësinë, por drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”.

Duke iu referuar ambicies për integrimin e Kosovës në BE, Kurti tha se vendi mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër si korniza për zhvillim të qëndrueshëm. “Por nevojitet më shumë financim për të mbyllur hendekun e konvergjencës në projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë tranzicionin e gjelbër, si dhe për të ulur pabarazinë me më shumë solidaritet”, tha ai.

“Që nga samiti i fundit, kemi nënshkruar një marrëveshje të re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime, duke zgjeruar tregjet tona. Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, e rikthyem funksionalitetin e saj duke zgjedhur një drejtor të ri, pas më shumë se dy vitesh bllokim”, shtoi Kurti.

Ai foli edhe për emigracionin: “Ne kemi dhënë zotim ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar shkaqet e paqëndrueshmërisë: forcimin e sigurisë kufitare, luftimin e krimit të organizuar, ndalimin e financave të paligjshme dhe ndihmën për menaxhimin e flukseve migratore. Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me numra relativisht të ulët”, përfundoi Kryeministri në detyrë i Kosovës.

Samiti i Procesit të Berlinit në Londër 1 nga 8

/a.f/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›