E Martë, 3 Nëntor 2026

Kurti: Deputetët opozitarë janë “nomadë”, s’duan të kenë shtëpi

PRISHTINË, 19 qershor/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deputetët e partive të deritashme opozitare i ka cilësuar deputetë nomadikë, meqë, sipas tij, ata nuk po duan të kenë shtëpinë e tyre që është Kuvendi i Kosovës.

“Në këtë frymë më lejoni që deputetët opozitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadikë, sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Mund të dëshirosh të kesh shtëpi e të mos kesh, të jesh refugjatë ta zëmë, por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi, janë nomadë, ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia, Kuvendi, Parlamenti i Republikës është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarë”, ka deklaruar Kurti në një ngjarje para seancës e cila dështoi për herë të 34-t me radhë, transmeton RTK.

Kreu i LVV-sw, Kurti tha se Kuvendi i nevojitet më shumë deputetëve opozitarë, atyre që nuk kanë qeveri.

“Ende nuk i ka ardhur radha qeverisë ‘Kurti 3’ që ata të thonë fjalën e tyre. Tash për tash ata janë në fazën kur nuk po duan që Republika e Kosovës të ketë Kuvend të Republikës, e nuk ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti, sikurse atyre opozitarë. Kuvendi është mënyra dhe mjeti i tyre edhe më i vlefshëm se sa për mazhorancën, por paradoksi është që pikërisht deputetët e mazhorancës po e duan më shumë Kuvendin, e ata e kanë qeverinë, e deputetët e opozitës që nuk kanë qeveri e kanë veçse Kuvendin, nuk po e duan Kuvendin”, tha Kurti.

Kreu në detyrë i ekzekutivit tha se Qeveria e Kosovës i ka kompetencat e kufizuara, por jo më pak punë.

“Qeveria e Kosovës njëmend i ka kompetencat e kufizuara, por ne nuk kemi më pak punë, ne kemi më pak kompetenca, ndërmjet ‘Kurti 2’ dhe ‘Kurti 3’ e kemi këtë qeveri në detyrë që është qeveri në tranzicion, le ta quajmë ‘Kurti 2,5”, tha ai, transmeton transmetuesi publik.

Sot, ka dështuar edhe përpjekja e 34 për konstitumin e Kuvendit të Kosovës.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›