E Martë, 3 Nëntor 2026

Kurti: Mbështetet agresori që mbron terroristët dhe Kosova mbetet nën masa të BE-së

PRISHTINË, 7 prill /ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kritikuar qasjen e BE-së ndaj Kosovës.

Kurti gjatë rilansimit të Programit “Willy Brandt” për zgjerim të Bashkimit Evropian, nga Socialistët dhe Demokratët, theksoi se gjatë mandatit të tij politikat e Kosovës “më shumë janë pëlqyer sesa mbështetur”, ndërsa të Serbisë “më pak janë pëlqyer, e më shumë janë përkrahur”.

Përderisa sipas Kurtit, Kosova mbetet nën masa të Bashkimit Evropian.

“Me fjalë të tjera, politikat tona janë pëlqyer më shumë sesa janë mbështetur, ndërsa politikat e fqinjit tonë verior janë pëlqyer më pak, por janë mbështetur më shumë. Fqinjit tonë verior, që është agresiv, provokon tensione dhe synon destabilizimin, sot i ofrohet strehë dhe mbrojtje një terroristi, ndërsa Kosova mbetet nën masa kufizuese nga Bashkimi Evropian. Nëse do të ishim në vitet 2000, një situatë e tillë do të ishte e papranueshme për çdo qeveri demokratike. E megjithatë sot tolerohet, nganjëherë edhe racionalizohet, këtu në Bruksel, ku balancimi i njëkohshëm i fqinjit tonë verior mes Moskës dhe Brukselit shihet si manovër strategjike, në vend që të shihet për atë që është në të vërtetë – një fyerje ndaj vlerave të BE-së dhe një pasqyrim i një politike të dështuar ndaj Serbisë”, tha Kurti.

Ai tha se kjo nuk është thjesht një mospërputhje, por një sfidë për besueshmërinë dhe reputacionin e projektit evropian.

Kurti beson se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e kësaj e të ardhmes evropiane. Po ashtu Kurti, thekson se që pesë vendet e mbetura të BE-së “duhet ta njohin Kosovën”.

Albin Kurti ka thënë po ashtu se Kosova pos Bashkimit Evropian dëshiron të anëtarësohet edhe në procesin euro-atlantin, në NATO.

Sipas Kurtit, Kosova tashmë e ka arritur pragun e NATO-s për 2% të BPV-së për shpenzimet në mbrojtje, “por e kuptojmë se duhet të bëjmë më shumë si pjesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët”. Dhe do ta bëjmë, sepse nuk mund t’u lejojmë autokratëve, qoftë në Moskë apo në Beograd, të përcaktojnë të ardhmen e kontinentit tonë”.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›