Kurti: Papa Françesku ishte një zë i guximshëm për paqen dhe drejtësinë ndërkombëtare

PRISHTINË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri në detyrë Albin Kurti shprehu ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut, duke thënë se trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të vazhdojë.
Kurti ka shkruar në Facebook se “U trondita sot nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut.
Kurti ka thënë po ashtu se Papa, si udhëheqësi shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, ai ishte një zë i guximshëm për paqen dhe drejtësinë ndërkombëtare, dhe një mbrojtës i palëkundur i të varfërve dhe të margjinalizuarve në të gjitha shoqëritë.
“Si Papa i parë joevropian në më shumë se 1200 vjet, ai shënoi një pikë kthese në historinë e Kishës”, shkroi Kurti.
Kurti ka kujtuar takimin me Papën, i cili tha se do ta kujton gjithmonë me kujdes dhe mirënjohje.Takimi im me Papën më 22 qershor 2023 — gjatë të cilit riafirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Vatikanit dhe Republikës së Kosovës — mbetet një nga momentet më domethënëse gjatë kohës sime si Kryeministër deri tash. Ai bënte pyetje për Kosovën, për rininë e fëmijët dhe fliste për paqen me dashuri e për popujt me dhembshuri. Është një takim që do ta kujtoj”, ka shkruar Kurti.
Papa Françesku vdiq të hënën e 21 prillit, në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani. Lajmin e trishtë e njoftoi Eminenca e Tij, Kardinali Farrell.
Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen. /KosovaPress/