E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Xhandarmëria e Kosovës strukturë e domosdoshme e kohës

PRISHTINË, 28 maj /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se xhandarmëria është strukturë e domosdoshme e kohës e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë.

Kurti në një konferencë për medie sot, theksoi se Kosova e viteve të fundit është ballafaquar me sulme të shumta, sidomos në pjesën veriore të saj.

Kurti tregoi edhe për mandatin që do ta ketë xhandarmëria e Kosovës.

“Me qëllim të adresimit të sfidave të mëdha dhe rreziqeve jo të vogla, si dhe përballjes me këto themelimi i xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës e cila do të plotësoj boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës. Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Kosovës, operacione  kundër grupeve terroriste dhe grupeve të armatosura përfshirë ato me karakter para ushtarak, parandalimi dhe luftimi i të] gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare si me mallra dhe emigrantë, menaxhimi i situatave të  rrezikut të sigurisë së lartë si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike. Modeli i xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane”, tha ai.

Kurti deklaroi se themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do të bëhet me ligj të veçantë, i cili do të votohet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se po punohet për krijimin e xhandarmërisë me qëllim forcimin e kontrollit të kufirit, mbrojtjen e integritetit territorial dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të sigurisë.

Sipas tij, kjo strukturë do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës të fokusohet më shumë në rendin publik dhe luftimin e krimit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i pyetur rreth zbatueshmërisë së Ligjit për të Huajt, tha se qëllimi është legalizimi, nuk ka normalizim pa legalizim.

Kurse, ministri në detyrë, Xhelal Sveçla tha se nga shtetasit serbë që jetojnë e punojnë në Kosovë janë pranuar qindra aplikime.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›