Kurti dhe Haxhiu vizitojnë familjen e Rexhep Selimit, kërkojnë lirimin e krerëve të UÇK-së - ATSH -
PRISHTINË, 6 nëntor /ATSH/ Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë vizituar familjen e Rexhep Selimit në Prishtinë, në 6-vjetorin e nisjes së tij për në Hagë.
Në vizitën e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes kanë marrë pjesë edhe sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ministra, deputetë dhe aktivistë të kësaj partie.
Ata janë pritur nga Shqipe Mehmeti-Selimi, deputete e Kuvendit të Kosovës, ish-luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëshorte e Rexhep Selimit.
Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje rikujtohet se më 5 nëntor, 6 vjet më parë, Rexhep Selimi kishte vendosur lule te varri i Astrit Deharit, në përvjetorin e vdekjes së tij, para se të nisej për në Hagë.
“Që prej atëherë, 5 nëntori na mbledh, na bashkon e na kujton sa shumë na mungojnë këta dy shokë”, thuhet në njoftim.
Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin e saj kundër aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë të padrejtë.
“Aktgjykimi i 16 shtatorit është i padrejtë, dhe betejën për drejtësi do ta vazhdojmë deri në lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së, që Rexhepin ta kemi sa më parë sërish në vendin për të cilin luftoi e nuk u ndal asnjëherë së angazhuari”, thuhet në reagimin e LVV-së.
/KosovaPress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
