Kurti fton për takim kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku

PRISHTINË, 7 prill/ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka shkruar letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku e ka ftuar për takim konsultativ para seancës së konstituimit të Kuvendit.
Në letrën që është publikuar në media, Kurti ka kërkuar takim këtë javë me Abdixhikun, duke ofruar si opsion datën 9 prill dhe 10 prill.
Nuk dihet nëse letër të njëjtë Kurti i ka dërguar edhe partive të tjera parlamentare. KosovaPress ka kontaktuar me zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Të heshtur kanë qëndruar edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilët nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, se a do ta pranojnë ftesën për takim.
Në media është raportuar se Kurti është takuar javën e kaluar me kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mirëpo në LVV dhe as Nisma, nuk e kanë konfirmuar për KosovaPress një takim të tillë.Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet me 15 prill. /KosovaPress/