E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti kujton masakrat: Krimet e Serbisë kërkojnë drejtësi

PRISHTINË, 26 mars/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar masakrat në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Padalishtë, Landovicë dhe Gjakovë.

Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi e fuqishme e gjenoncidit të Serbisë në Kosovë. Sipas tij, përballë këtyre krimeve, duhet të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik.

“Sot kujtojmë me dhimbje 243 civilët e vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogël, më 26 mars 1999. Forcat e armatosura të Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, ndërsa dogjën mbi 700 shtëpi, bashkë me institucione fetare e kulturore”, shkroi Kurti.

Kryeministri Kurti kujtoi edhe 48 anëtarët e familjes Berisha në Suharekë (trupat e të cilëve u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit), 19 anëtarët e familjes Imeraj në Padalishtë, si dhe 23 të vrarët në Landovicë e gjashtë të vrarët në Gjakovë.

“Si Republikë, kemi përgjegjësi të dyfishtë: ndaj së kaluarës dhe ndaj së ardhmes. Ndaj së kaluarës, duke dokumentuar e kërkuar llogari për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndaj së ardhmes, duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme, për jetë më të mirë të brezave të rinj, e për ata të cilët do të vijnë pas nesh”, theksoi ai.

Në fund ai shkroi se me zemrat e mbushura plot krenari përkulemi gjithmonë para kujtimit të të gjithë të vrarëve.

“Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, përfundoi ai.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›