E Diel, 1 Nëntor 2026

“Për dy vjet të nxjerr nga burgu”/ Dëshmia e vrasësit të Liridonës: Murseli më ofroi rrogë 1,300 euro në muaj

Ka vijuar edhe sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjykimi kundër Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Edhe sot i akuzuari, Naim Murseli ka insistuar se ishin pre e grabitjes dhe se nga grabitësi iu është kërkuar vetëm para dhe telefona. Por, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku e ka ballafaquar të akuzuarin me disa fotografi të natës kritike, në të cilat shihet Liridona Ademaj pas momentit të vrasjes, ku shihet plaga që ajo mori në pjesën e kokës, saktësisht tek veshi.

Ndërkohë, Granit Plava, një ndër tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ka deklaruar se bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, i kishte ofruar  pagë 1 mijë e 300 euro në muaj për të kryer vrasjen.

“Marrëveshja me Naimin ka qenë. Kam qenë në dijeni për veprën penale për të cilën akuzohem tash, por asnjëherë nuk ma ka treguar personin. Vetëm më ka thënë: ‘Ti duhet të marrësh përgjegjësinë dhe për dy vjet të nxjerr nga burgu. Ti e di çfarë pushteti kemi ne.

Më ka ofruar para, më ka ofruar pagë 1 mijë e 300 euro në muaj, më ka ofruar veturë G-Class. I kam thënë përafërsisht cili është personi, ai më ka thënë që nuk ke nevojë me ditë, ti veç ke me marrë përgjegjësi, kinse e kam bërë unë vrasjen. Kështu e kam dhënë deklaratën në Polici, qysh jemi marrë vesh me Naimin”, ka deklaruar ai.

“Po të dy i njoh. Kushtrim Kokallën e njoh pak më shumë, sepse ka qëndruar më shpesh në katundin tonë, kurse Naim Murselin e kam njohur, por nuk kam pasur shumë kontakte. Vetëm kur vinte prej jashtë, vinte si ‘boss’ me kerre të mira dhe e kemi pasur privilegj me nejt me të”, ka pohuar më tej.

Si ndodhi vrasja?

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava.

Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim. Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, shumica nga bashkëshortët e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›