Kurti paralajmëron sërish zgjedhje parlamentare: Atmosfera e “intoksikuar” vështirëson koalicionin pas fitores së shkurtit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mund të dështojë në formimin e Qeverisë së re, duke lënë si alternativë të vetme rrugën e kthimit në zgjedhje. Deklarata u bë të martën në Londër, gjatë një takimi me diasporën, vetëm disa ditë para skadimit të afatit ligjor për mandatarin.
Kurti, i nominuar nga Presidentja Vjosa Osmani më 11 tetor, ka kohë deri më 26 tetor për të siguruar shumicën e votave në Kuvend. Duke pranuar vështirësitë, ai përshkroi ambientin politik si “intoksikuar” nga “xhelozia, inati dhe cinizmi” më shumë sesa nga ideja e qeverisjes.
“Jemi duke biseduar, por siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë,” theksoi Kurti, duke treguar se procesi i negocimit me subjektet e tjera parlamentare po has në pengesa të forta.
LVV gjendet nën trysni pasi nuk arriti shumicën absolute më 9 shkurt. Opsionet e LVV-së për një qeveri funksionale janë të kufizuara. PDK (Partia Demokratike e Kosovës), e cila doli e dyta, është e përjashtuar nga bisedimet.
LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës), ka mbetur opsioni i vetëm i mundshëm, megjithatë burime brenda LDK-së konfirmuan për median se nuk ka pasur ende takime zyrtare me LVV-në si subjekt politik. Një zyrtar i LDK-së theksoi: “Vetëvendosje po vepron përmes individëve, jo me ne si subjekt politik.”
Roli i presidentes Osmani dhe Lista Serbe
Në këtë situatë krize, Presidenca mbetet në qendër të vëmendjes. Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur besimin se ka ende kohë për formimin e Qeverisë, ndërkohë që ka adresuar kritika ndaj Listës Serbe për krijimin e pengesave.
Lista Serbe, e cila është ankuar në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, rrezikon të çojë procesin “në zero” nëse Gjykata vlerëson se Kuvendi nuk është konstituuar siç duhet. Ky proces i vonesës, i cili tashmë ka zgjatur gjashtë muaj, shtron pikëpyetjen mbi aftësinë e Kuvendit për të votuar një qeveri brenda afatit të fundit të 26 tetorit.
Ekspertët paralajmërojnë se dështimi i Kurtit do t’i lërë në dorë Presidentes Osmani që të kalojë mandatin për një forcë tjetër politike për formimin e qeverisë, ose të shkruajë datën e re të zgjedhjeve.
/rtsh.al/