Rama: Europa në udhëkryq, të përmbushë vizionin themelues ose të ecë drejt një rruge katastrofike

Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale, Kryeministri Edi Rama ndau një reflektim kritik mbi rolin dhe drejtimin e Europës në skenën globale, duke e cilësuar kontinentin si një “gjigant të lodhur” që rrezikon të humbasë ritmin me zhvillimet botërore.
“Nëse dikush dëshiron të kuptojë më mirë çfarë po ndodh me Europën, duhet të dëgjojë zërat jashtë saj – mendjet e ndritura që e shohin arenën globale si të vdekur dhe Europën si një gjigant të vjetër, të lodhur, që nuk arrin të kuptojë se bota ka ndryshuar,” tha Rama.
Ai solli në vëmendje ndryshimet e mëdha ekonomike mes Europës dhe Kinës, duke theksuar se balanca globale ka ndryshuar ndjeshëm.
“Më pak se 40 vjet më parë, PBB-ja e Europës ishte 10 herë më e madhe se ajo e Kinës. Sot janë në nivele të barabarta, dhe në më pak se 20 vjet, Kina pritet të ketë dyfishin e ekonomisë së Europës,” u shpreh Kryeministri.
Sipas Ramës, Europa ndodhet në një moment kritik, ku duhet të vendosë nëse do të përmbushë vizionin e etërve themelues apo do të ndjekë rrugën e izolimit.
“Europa është në udhëkryq. Duhet të ndajë mendjen: ose të përmbushë projektin më të jashtëzakonshëm politik që ka krijuar ndonjëherë qenia njerëzore, ose të ecë drejt një rruge katastrofike, si ajo e Brexit – një akt vetëvrasës që u pa drejtpërdrejt,” përfundoi Rama.
Rama: Për ne në Shqipëri, BE është një fe
Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë mbështetjen që gëzon Bashkimi Europian në Shqipëri. Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale në Londër, Rama tha se për shqiptarët, “BE është një fe”, teksa përmendi edhe objektivin për anëtarësimin e vendit brenda kësaj dekade.
“Shqipëria është në një pozitë të mirë. Tani jemi në një moment përshpejtimi shumë të madh të rrugëtimit tonë drejt BE-së. Ata e kuptojnë që duhet të bëjnë gjithçka për të bashkuar Ballkanin Perëndimor me BE. Nëse gjërat do të vazhdojnë siç janë sot, jam optimist që shumë shpejt, brenda kësaj dekade do të jemi pjesë e BE.
Nëse gjërat ndryshojnë dhe Europa kthehet pas në zonën e vet të rehatisë, kjo mund të ndryshojë, por për momentin jam optimist. Për ne në Shqipëri, BE është një fe. 92% e njerëzve duan që Shqipëria të jetë në BE. Është e jashtëzakonshme sepse kemi një politikë kaq të polarizuar sa është e vështirë të kemi të njëjtin mendim edhe sa është ora, por kur vjen puna te BE, nuk ka diskutim, të gjithë duam të jemi pjesë e BE. Jo pse jemi naivë mendoj, por sepse ende e kemi të freskët në kujtesë sesi dukeshin gjërat jashtë BE-së”, tha Rama.
Rama në Londër: Emigracioni s’është problemi, është pjesë e zgjidhjes. Të luash me të, e rrezikshme për shoqërinë
I pranishëm në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale në Londër, Kryeministri Edi Rama ngriti shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet emigracioni në debatin publik në Mbretërinë e Bashkuar, duke e cilësuar këtë qasje si një “lojë e rrezikshme”.
Ai theksoi se emigracioni nuk duhet trajtuar si burim problemesh, por si një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes.
“Është gabim ta karakterizosh emigracionin si problemin. Nuk është problemi është pjesë e zgjidhjes. Duhet bërë dallimi mes asaj që është e paligjshme dhe e dëmshme, dhe asaj që është e ligjshme dhe e dobishme,” tha ai.
Rama kritikoi edhe ish-ministres britanike të Brendshme, Suella Braverman, për mënyrën si kishte veçuar komunitetin shqiptar në deklaratat e saj.
Në vijim, ai solli disa shembuj personalë nga vizita e tij në Londër, për të ilustruar kontributin e emigrantëve shqiptarë në jetën e përditshme të vendit.
“Kur mbërrita, një djalë më foli në shqip në hotel. Roja mendoi se kishte ndonjë rrezik, por i thashë: mos u shqetëso, është bashkatdhetar. Në mëngjes dëgjova emrin tim nga lart – ishin shqiptarë që punonin në skela. Në Parlament, roja ishte shqiptar. Çfarë do të ndodhte, kush do t’i bënte ato punë nëse shqiptarët nuk do të ishin aty? Por jo vetëm shqiptarët,” tha Rama.
Në përfundim, ai paralajmëroi se përdorimi i emigracionit si temë politike mund të ketë pasoja të rënda për kohezionin shoqëror.
“Të luash me emigracionin në mënyrën si po luhet është shumë e rrezikshme. Dëmton vlerat që e kanë bërë Mbretërinë e Bashkuar një vend demokratik dhe të hapur. Kjo qasje mund të shndërrohet në një luftë kulturore që ndez përçarje dhe dëshpërim, duke rrezikuar të gjithë shoqërinë,” theksoi Kryeministri.
/rtsh.al/