Kusari-Lila: Situata në Kuvend nuk mund të shkojë në pafundësi, të dielën 30 ditë prej certifikimit të rezultateve

PRISHTINË, 25 prill/ATSH/ Kryetarja e partisë “Alternativa”, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se bllokimi i Kuvendit nuk mund të shkojë në pafundësi dhe se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve është i paraparë konstitutimi i Kuvendit.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se opozita po bllokon zgjedhjen e trupave të legjislativit, e cila i hap rrugë konstituimit të Kuvendit.
“Disa herë radhazi, të katërtën herë radhazi, 57 vota janë për – për kryetaren e Kuvendit, apo për propozimin tonë për kryetare të Kuvendit, zonja Albulena Haxhiu. Në asnjë rast ose në asnjë instancë në votimet në Kuvend, në të gjitha legjislaturat e deritashme, vota për nuk është votë bllokuese, vota kundër është vota që e bllokon një proces ose abstenimi apo mos marrja pjesë fare në procesin e votimit siç po e shohim këtu në Kuvend”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo tha se bllokimi i Kuvendit nuk mund të shkojë në pafundësi, derisa përmendi afatet ligjore që përcaktojnë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve duhet të konstituohet Kuvendi.
“Është e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diele, më 27 prill. Apo nëse e shohim me ditë kalendarike një pas një, mund të jetë nesër. Marsi i ka pasur 31 ditë, prandaj kjo situatë nuk është se mundet të shkojë tërësisht në pafundësi, mund të sjell në një rrethanë krejtësisht tjetër ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se shkuarja në zgjedhje për Lëvizjen Vetëvendosje mbetet opsioni i fundit në “situatën ku nuk ka asnjë reflektim për votimin e kryeparlamentarit”.Lëvizja Vetëvendosje të premten ka dështuar sërish të zgjedh Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, edhe në tentimin e katërt.
Me 118 deputetë të pranishëm në sallë, Albulena Haxhiu mori 57 vota për, 47 kundër dhe 3 abstenime. /KosovaPress/