E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush është Klodian Braho? Pasuesi i Altin Dumanit në krye të SPAK

Prokurori Klodian Braho u zgjodh ditën e sotme në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Ai arriti të merrte 7 nga 11 votat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke u bërë kështu pasardhësi i Altin Dumanit në drejtimin e Prokurorisë Speciale,

Po kush është Klodian Braho?

Braho, 43 vjeç, pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, ka qenë ndërkohë një nga figurat kryesore të SPAK.

Ai u emërua prokuror në vitin 2007 pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012.

Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK-ut, ai u emërua prokuror në strukturën e re.

Ai drejton ndërkohë Seksionin e Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit.

Braho ka hetuar çështjen e incineratorin e Elbasanit për të cilën lëshoi urdhër-arreste për persona të përfshirë në skemën korruptive, si dhe ndau hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Mes çështjeve të tjera të rëndësishme janë dosja “5D”, ku u dërguan në gjyq ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si dhe “Toyota Auris”, një dosje që vijon të hetohet në disa pista.

Ai është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën akuzën për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.

Klodian Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›