E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend/ Tensione për protestën, deputetët e PD-së bllokojnë Foltoren

Seanca plenare është përfshirë sërish nga tensionet, teksa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u përplas me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me protestën e qytetarëve jashtë Kuvendit.

Berisha mbrojti protestën dhe bëri thirrje për largimin e kryeministrit, ndërsa Balla e sfidoi atë të dilte mes protestuesve për të parë nëse do të pranohej apo jo prej tyre.

Tensionet u rritën edhe më tej kur, gjatë fjalës së Ballës, deputeti demokrat Flamur Noka ndërhyri me akuza dhe ofendime në drejtim të deputetit socialist.

Më pas, seanca u shoqërua me kaos dhe thirrje nga vendet e deputetëve të opozitës. Kryetari i Kuvendit në detyrë, Niko Peleshi, tentoi të vijonte drejtimin e seancës mes zhurmës në sallë.

Deputetët e Partisë Demokratike zunë Foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa pak minuta më vonë fjalën e mori sërish Berisha, duke vijuar akuzat ndaj mazhorancës dhe mbështetjen për protestën e opozitës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›