Kuvendi dështim pas dështimi, opozita refuzon votimin e fshehtë për drejtuesin e ri të Kuvendit

Kosovë – 24 seanca pa asnjë sukses ka bërë kuvendi i Kosovës deri këtë të shtunë, në tentativën e rradhës për tu konstituuar.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga shoqëria civile në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar që vendi të krijojë sa më shpejt institucionet e reja.
Opozita sërish nuk ka pranuar të votojë në mënyrë të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.
Votimi i fshehtë është propozuar në 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura nuk i ka marrë 61 votat e nevojshme që të zgjidhet në këtë post.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e deputetëve nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Ata argumentojnë se është jokushtetuese mënyra se si Vetëvendosje po tenton që kryetari i ri të zgjidhet me votim të fshehtë./vizionplus.tv