E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës dështon të konstituohet edhe në përpjekjen e 15-të

PRISHTINË, 13 maj/ATSH/ Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e pesëmbëdhjetë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 15 maj në orën 10:30.

Paraprakisht, në nisje të seancës, deputetët mbajtën 1 minutë heshtje në nderim të 44-të përvjetorit të rënies së dëshmorëve Tahir dhe Nebih Meha. Për këtë veprim sërish nuk u ngritën në këmbë deputetët nga radhët e Listës Serbe.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por kësaj thirrje nuk iu përgjigjen pozitivisht partitë e tjera.

Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 56 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›