E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet, tre kandidatët e LVV-së nuk marrin votat

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Seanca e sotshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nisi me votimin për deputetin dhe ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin, i cili përsëri nuk i morri votat për kryetar të Kuvendit.

Ai mori 55 vota, kundër 46 dhe 5 abstenime.

Pas dështimit, Murati propozoi ministren në detyrë të arsimit, Arbërie Nagavcin me arsyetimin që është ministre e jashtëzakonshme në fushën e arsimit.

Por edhe pas këtij propozimi, me 55 vota për, 47 kundër dhe katër abstenime nuk kaloi as Arbërie Nagavci për kryetare të Kuvendit.

Nagavci propozoi deputetin e LVV-së, Dimal Bashën për kryetar kuvendi me arsyetimin se është i përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

Edhe pse votat ishin më ndryshe se për të tjerët për Bashën, ai prapë nuk kaloi. Me 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime.

Për ishin edhe Bekë Berisha i AAK-së e Arben Gashi i LDK-së.

Për shkak të dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, seanca shtyhet më 26 gusht në ora 11:00. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›