E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi kalon në votim, miratohen pr/ligjet në rendin e ditës

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare pr/ligjet në rendin e ditës pas kërkesës së  kreut të grupit të partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili u shpreh se deputetët në sallë po kërcënohen me jetë.

“Edhe pas shumë përpjekjesh nga ana juaj për të vendosur rregullin në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, edhe kur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët kërcënohen me jetë se  nuk do të vijnë më të gjallë në sallën e Kuvendit, kur deputetes një deputete tjetër i thotë: “Nuk shkel më këtu”. Kur deputetët goditen për shkak të detyrës me mjete të forta, siç përcaktohet nga rregullorja, po qeshni, qeshni. Në këto kushte, zoti kryetar i Kuvendit, bazuar në nenin 49, propozoj përmbylljen e diskutimeve dhe kalimin menjëherë në votim. Ju lutem ta hedhim në votim kërkesën time”, tha Balla.

Pas kërkesës së Ballës, kreu i Kuvendit kaloi në votim pr/ligjet e rendit të ditës.

Kështu u miratua me 77 vota pro dhe 2 kundër projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare”.

Kuvendi miratoi me 78 vota pro dhe 1 kundër projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik”.

Kuvendi miratoi edhe projektligjin  “Për ratifikimin e vendimit nr. 1/2025 të Komitetit të Përbashkët Shqipëri–Turqi për ndryshimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë”.

Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 58/2022 për parqet teknologjike dhe shkencore” me 79 vota pro dhe 2 kundër.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara” u rrëzua me 79 vota kundër dhe 4 pro.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro dhe 5 kundër projektvendimin për zgjedhjen Denar Bibës si anëtar të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.

Kuvendi miratoi me 78 vota pro projektvendimin për largimin e deputetes Aulona Bylykbashi nga sekretare e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe caktimin e saj si anëtare tek Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Kuvendi miratoi me 74 vota pro, 4 abstenim dhe 1 kundër projektvendimin për zgjedhjen e Diana Dervishit  si anëtare Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›