Kuvendi miraton me 84 vota ndryshimet në Kodin Rrugor, rrëzohen tri nisma të opozitës

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kuvendi miratoi sot një sërë ligjesh të rëndësishme, ndër të cilat edhe projektligjin për dhënien e amnistisë penale, i cili u miratua me 84 vota.
Në vijim deputetët rrëzuan tre projektligje të paraqitura nga deputetët e opozitës.
Konkretisht me 83 vota kundër u rrëzua projektligji i propozuar nga deputeti demokrat Kliti Hoti “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për “Kodin Rrugor”. Me 81 vota kundër u rrëzua nisma e deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri “Për disa shtesa në ligjin e “Kodit Rrugor”.
Po ashtu, me 80 vota kundër Kuvendi rrëzoi projektligjin “Për një shtesë në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, nismë e deputetes së PD-së Jorida Tabaku.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, ku ndryshimet synojnë përmirësimin e sigurisë rrugore, përshtatjen e legjislacionit me standardet bashkëkohore dhe rritjen e efikasitetit të zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor u miratua me 84 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Kuvendi miratoi me 84 vota projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe projektligjin “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”.
Me 82 vota pro u miratua projektvendimi “Për miratimin e Planit Strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2026-2030”.
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektvendimin për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat” me kryetar deputetin Igli Cara.
Kuvendi miratoi po ashtu me 75 vota pro projektvendimin për ngritjen e nënkomisionit për Administratën Publike në përbërje të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Ky nënkomision do të drejtohet nga deputeti i PS-së, Ermal Pacaj.
Me 82 vota pro u miratua po ashtu edhe ngritja e nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm” me kryetare deputeten e PS-së, Ilva Gjuzi.
Kuvendi miratoi me 76 vota projektvendimin për ngritjen e tre nënkomisioneve në përbërje të Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural.
Po ashtu në seancën e sotme u miratua me 81 vota edhe ngritja e nënkomisionit për Integritetin e Informacionit Publik, Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja në përbërje të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, me kryetare deputeten e PS-së Iris Luarasi.
/m.m/r.e/