KOMENT – Rikthimi i Haitit në Botëror ngjall krenari komunitare në Nju Jork

NJU JORK, 18 qershor /ATSH-AFP/- Pjesëmarrja e kombëtares së Haitit në Kupën e Botës 2026, për herë të parë që nga viti 1974, ka sjellë një valë entuziazmi dhe krenarie te komuniteti haitian në Nju Jork.
Për shumë emigrantë, të cilët prej muajsh përballen me pasiguri për shkak të politikave më të ashpra të emigracionit të administratës së presidentit Donald Trump, futbolli është bërë një arsye e rrallë për festë dhe bashkim.
Në lagjen e njohur si ”Little Haiti” në Brooklyn, banorët thonë se ngjyrat kuqezi të flamurit haitian do të zënë vendin e simboleve të ekipit të basketbollit “New York Knicks”, kampion i fundit i NBA-së.
Aktori haitian Vladimir Calixte tha se rikthimi në Botëror është një moment i veçantë për komunitetin dhe se mbështetja për ekipin kombëtar po ndihet kudo.
Komuniteti haitian në SHBA është përballur me sfida të shumta vitet e fundit.
Administrata e presidentit Trump ka pezulluar vizat turistike dhe të emigracionit për Haitin, ndërsa po kërkon edhe heqjen e statusit të mbrojtjes së përkohshme për qindra mijëra haitianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë klimë pasigurie, suksesi i ekipit kombëtar ka krijuar një ndjenjë uniteti dhe shprese.
Artistja haitiane me bazë në Brooklyn, Lyne Lucien, e cila ka bashkëpunuar me “FOX Sports” dhe FIFA-n, tha se kombëtarja pasqyron vetë diasporën haitiane, pasi shumë prej futbollistëve janë rritur jashtë vendit.
Sipas saj, Haiti shtrihet shumë përtej kufijve të ishullit dhe komuniteti vazhdon të mbetet i bashkuar pavarësisht se ndodhet në vende të ndryshme të botës.
Megjithatë, atmosfera festive është zbehur disi nga frika se agjentët e shërbimit amerikan të emigracionit mund të jenë të pranishëm në stadiume gjatë Botërorit.
Shumë emigrantë, madje edhe ata me dokumente të rregullta ose me shtetësi amerikane, ndihen të pasigurt për të marrë pjesë në ndeshje.
Pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj kombçtares së Skocisë, Haiti do të përballet nesër me Brazilin.
Shumë haitianë e konsiderojnë Brazilin si një simbol të futbollit botëror, por këtë herë zemrat e tyre do të jenë plotësisht me kombëtaren e Haitit, e cila po shkruan një kapitull historik për vendin dhe diasporën e saj./ /Ad.Ab./ a.jor.