E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi nuk i hoqi imunitetin Ballukut, Berisha: Dëmtoi Kushtetutën dhe besimin e qytetarëve. Mbyllet protesta e opozitës, tubimi i ardhshëm më 22 mars

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, me 82 vota kundër dhe 47 pro. Shumica socialiste mbajti qëndrimin kundër heqjes së imunitetit, duke shkaktuar reagime të forta nga opozita.

Pas mbylljes së seancës plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bashkua protestës së opozitës para Parlamentit. Ai u drejtua ndaj protestuesve duke deklaruar se ky ishte një akt që dëmton “kushtetutën, dinjitetin njerëzor dhe interesat e qytetarëve shqiptarë”.

“Ditë e zezë e historisë tonë, kemi ardhur këtu në mbrojtje të kushtetutës, dinjitetit njerëzor, të interesave te çdo qytetari shqiptar nga një organizatë kriminale e cila përdor pushtetin e grabitur për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e veta. Sot Edi Rama kreu i organizatës kriminale shënoi vetëvrasjen e tij politike, fundin e tij politik, firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerr me të gjitha mjetet nga pushteti i tij i krimit. Sot ai nuk votoi për Lubi ballukun, po për veten e tij. Votoi për të mbrojtur vjedhjet që ka bërë. Në historinë kombëtare nuk ka pasur njëri me standarde më të ulëta njerëzore se ky njeri. Nuk ka sot një qeveritar në Europë që të votoj për mbrojtjen e vjedhjeve të tij. Nuk ka qeveritar tjetër ne Europë që të ketë firmosur qindra herë vjedhjen e pasurive të qytetarëve. Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve kundër tij. Të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore deri në largimin e tij nga pushteti”, u shpreh Berisha.

Me mbylljen e fjalës së Berishës, u mbyll edhe protesta para parlamentit, e cila ishte një protestë paqësore dhe pa tensione. Nga Selia Blu, Berisha tha se protesta kombëtare e radhës do të zhvillohet më 22 mars.

Gjatë protestës foli edhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu, në pamundësi për të qenë në Kuvend për shkak të përjashtimit të tij me 10 ditë nga punimet.

Në fjalën e tij, Balliu u shpreh se nuk mund që të ketë burg për ata që protestojnë kundër korrupsionit dhe amnisti për ata që vjedhin qytetarët

“A mund ti lejojmë ne këta hajdutë që me vendime politike të bllokojnë drejtësinë. Qytetarët kanë luftuar dhe kanë punuar që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë. Nuk mund që të ketë burg për ata që protestojnë kundër korrupsionit dhe amnisti për ata që vjedhin qytetarët”, u shpreh në protestë Balliu. 

Për mbarëvajtjen e protestës mbi 1500 efektivë u vunë në mbrojtje të godinës dhe garantimit të sigurisë. Efektivët ishin të pajisur me fikëse zjarri dhe mburoja, ndërsa Garda ruante nga tarraca e Kuvendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›