Kuvendi shqyrton projektligjin “Për gjuetinë”, rikthehet aktiviteti pas një dekade moratoriumi

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për gjuetinë”, që ofron një kuadër të ri ligjor për rregullimin e aktivitetit të gjuetisë në Shqipëri.
Jaupaj theksoi se ky projektligj vjen pas një dekade moratoriumi, i vendosur për mbrojtjen e biodiversitetit dhe rikuperimin e popullatave të faunës së egër. “Ky propozim përfaqëson rikthimin e një aktiviteti të cilin e cilësonim shumë të nevojshëm për rikthimin e qetësisë në habitatet natyrore”, tha ai.
Ministri shtoi se gjuetia në vendin tonë ka qenë dhe vazhdon të jetë një traditë e transmetuar brez pas brezi dhe ka një dimension kulturor që shkon përtej sigurimit të ushqimit. Projektligji synon krijimin e një kulture të re të gjuetisë, që ruan aspektet pozitive të traditës dhe eliminon praktikat e dëmshme.
Sipas Jaupajt, gjuetari modern duhet të njohë dhe të mbrojë natyrën, të respektojë ligjin dhe të ushrojë aktivitetin me përgjegjësi dhe etikë. Edukimi mjedisor i të rinjve është komponent thelbësor i kësaj strategjie afatgjatë, për të siguruar që brezat e ardhshëm të jenë gjuetarë të përgjegjshëm.
Ministri nënvizoi se moratoriumi i vendosur më parë ka ndihmuar rikuperimin e popullatës së specieve të egra dhe ndërtimin e mekanizmave të menaxhimit për burimet natyrore. Studimet treguan se shumë specie kishin pësuar rënie drastike, duke përfshirë shpendët ujorë dhe migratorë, si dhe speciet e vogla të gjuetisë sportive.
Projektligji synon të vendosë rregulla të qarta për organizimin dhe ushtrimin e gjuetisë, duke garantuar ruajtjen e diversitetit biologjik dhe ekuilibrin e habitateve të florës dhe faunës së egër. Eksperienca e vendeve evropiane tregon se gjuetia mund të kthehet në burim të ardhurash për zonat rurale, duke hapur vende të reja pune dhe përmirësuar infrastrukturën.
Ndryshimi kryesor është kalimi i kompetencës nga strukturat qendrore te bashkitë, duke i dhënë përgjegjësi njësive të qeverisjes vendore për gjuetinë. Ky propozim synon një gjueti të qëndrueshme që garanton mbrojtjen e biodiversitetit dhe krijon një model bashkëkohor për mirëqenien e komuniteteve, përfundoi Jaupaj.
/e.i/j.p/