RUSI – Lavrov: Evropa po i bën presion SHBA-së për garancitë e Ukrainës

MOSKË, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov kritikoi sot mbështetësit evropianë të Ukrainës se po ushtrojnë presion mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për garancitë e sigurisë, si pjesë e diskutimeve të vazhdueshme për përfundimin e luftës.
“Evropianët po përpiqen të detyrojnë Uashingtonin të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, duke shpërfillur interesat e sigurisë së Rusisë”, tha Lavrov duke iu referuar raporteve të bisedimeve midis zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.
Përfaqësuesit e Ukrainës po zhvillojnë aktualisht bisedime me delegacionet amerikane dhe evropiane mbi një zgjidhje të mundshme të luftës gati 4-vjeçare të Rusisë.
Një çështje kyçe është grupi i garancive të sigurisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerët duhet t’i ofrojnë Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Që nga prezantimi i planit të paqes nga SHBA-ja në nëntor – i cili përshkruante një marrëveshje kornizë të mundshme për përfundimin e luftës – janë zhvilluar disa raunde diskutimesh midis Uashingtonit, Kievit dhe partnerëve evropianë, me ndryshime dhe kundërpropozime.
Kritikët e përshkruan planin fillestar të SHBA-së si një “listë dëshirash për Rusinë”.
Sipas agjencisë së lajmeve ukrainase “RBC Ukraine”, Kievi i dërgoi përgjigjen e tij zyrtare Uashingtonit dje në mbrëmje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se janë planifikuar bisedime të tjera me mbështetësit evropianë. //a.i/