E Martë, 3 Nëntor 2026

LDK i drejtohet Kushtetueses, kërkojnë që Dehari t’i kthehet votimit të hapur

PRISHTINË, 4 korrik/ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së seancës konstituive të datës 29 qershor dhe seancave pasuese, pas aktgjykimit të Kushtetueses më 26 qershor.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar ka obliguar deputetët që të zgjedhin trupat e Kuvendit deri në datën 27 qershor, mirëpo nuk janë theksuar pasojat e një mosveprimi të tillë.

Mes tjerash, në aktgjykimin e Kushtetueses kërkohet nga partia e parë që në bashkëpunim dhe mirëbesim, të krijojë konsensus për zgjedhjen e të propozuarit të tyre për kryekuvendar. Ndërkaq, partitë parlamentare po shfaqin interpretime të ndryshme në lidhje me atë se a lejohet apo jo votimi i fshehtë i kryeparlamentarit.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, pasi dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese, akuzoi kryesuesin e seancës konstituive, deputetin Avni Dehari, dhe LVV-në se s’po respektojnë vendimin e Kushtetueses.

Ai tha se në aktgjykimin e 26 qershorit, ndalohet votimi i fshehtë i kryekuvendarit, derisa kryesuesi dhe LVV-ja po insistojnë për një gjë të tillë.

Manaj kërkoi nga Kushtetuesja vendimmarrje të shpejtë për këtë rast.

Duke folur për deklarimin e sotëm të presidentes, Vjosa Osmani, e cila tha se votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit lejohet, por se duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve për këtë procedurë të votimit, Manaj nuk u pajtua me një qëndrim të tillë.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar se votimi duhet të jetë i hapur dhe se kjo tani nuk është çështje e vullnetit politik, por çështje e përcaktuar në Kushtetutë dhe Rregullore të Kuvendit.

Manaj tha se s’ka kërkuar nga Kushtetuesja që të vendosë masë të përkohshme për seancën konstituive, derisa tha se kjo mbetet në diskrecionin e vet Kushtetueses.

Në lidhje me seancat konstituive pas aktgjykimit të Kushtetueses, të enjten edhe PDK-ja, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›