LETONI – Koalicioni qeverisës shpërbëhet pesë muaj para zgjedhjeve

RIGË, 13 maj /ATSH-DPA/- Koalicioni qeverisës tripartiak i Letonisë është shpërbërë në më pak se pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Partia e qendrës së majtë “The Progressives” njoftoi sot se nuk do të vazhdojë më bashkëpunimin me kryeministren Evika Silina, duke e lënë ekzekutivin pa shumicën e nevojshme në parlament.
Pas kësaj lëvizjeje, qeveria mbështetet vetëm nga partia e qendrës së djathtë “Uniteti i Ri” dhe “Unioni i të Gjelbërve dhe Fermerëve”, që nuk mjafton për të siguruar kontrollin e shumicës.
Lideri i “The Progressives”, Andris Suvajevs, deklaroi pas takimit me Silina në Riga se kryeministrja nuk ka më mbështetjen e nëntë deputetëve të partisë së tij.
Ai i bëri thirrje presidentit Edgars Rinkevics të nisë konsultimet për krijimin e një qeverie të re, edhe pse ministrat e partisë së tij nuk do të largohen menjëherë nga kabineti.
Përplasja politike erdhi pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Andris Spruds, i cili dha dorëheqjen të dielën pas incidenteve të fundit me dronë në hapësirën ajrore të vendit.
Dorëheqja ndodhi mes presionit nga kryeministrja, në një kohë kur tensionet e sigurisë janë rritur në vendin baltik që kufizohet me Rusi dhe Bjellorusi.
Silina ka propozuar emërimin e kolonelit Raivis Melnis në postin e ministrit të ri të Mbrojtjes, duke anashkaluar kandidaturën e partnerit të saj të koalicionit — një veprim që thelloi krizën politike.
Më herët, kryeministrja paralajmëroi se një qeveri teknike mund të marrë drejtimin e vendit nëse partnerët largohen nga koalicioni.
Letonia pritet të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 3 tetor, në një klimë të tensionuar politike dhe me pasiguri për formimin e qeverisë së ardhshme. //a.i/