E Diel, 1 Nëntor 2026

LIBAN – Disa të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite

BEJRUT/TEL AVIV, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë, u vranë sot pas një sulmi izraelit me dron ndaj një automjeti në Libanin jugor, sipas burimeve të sigurisë dhe medias shtetërore.

Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se sulmi izraelit me dron në qytetin Yanouh, në qarkun Tyre, rezultoi në vdekjen e tre qytetarëve, përfshirë një fëmijë 3-vjeçar.

Burime lokale thanë se fëmija dhe babai i tij, i cili ishte anëtar i Forcave të Sigurisë së Brendshme Libaneze, rastësisht po kalonin aty pranë, në kohën e sulmit.

Në kuadër të armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut, në fuqi që nga fundi i nëntorit 2024, milicia e mbështetur nga Irani duhej të çarmatosej.

Afati kyç për çarmatimin e Hezbollahut, të cilin qeveria libaneze ia ka ngarkuar ushtrisë, përfundoi në fund të dhjetorit.

Izraeli akuzon Hezbollahun për riorganizim dhe riarmatosje në shkelje të marrëveshjes. Si rezultat, ushtria ka vazhduar të sulmojë fqinjin e saj pothuajse çdo ditë.

Sipas shifrave qeveritare, më shumë se 300 persona janë vrarë në Liban që kur armëpushimi hyri në fuqi. Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 100 prej tyre ishin civilë.

Në një zhvillim të veçantë, ushtria izraelite tha se kishte arrestuar një anëtar të lartë të grupit militant al-Jama al-Islamiya në Libanin jugor dhe e kishte sjellë atë në Izrael, ku do të merret në pyetje.

Grupi sunit është i lidhur me Hezbollahun në Liban dhe organizatën terroriste palestineze Hamas dhe, sipas deklaratave të veta, mbështet luftën e milicisë shiite të Hezbollahut kundër Izraelit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›