Seattle Seahawks fitues të edicionit të 60-të të Super Bowl

Kaliforni, 9 shkurt /ATSh/ Finalja e shumëpritur e Super Bowl LX u fitua nga Seattle Seahawks. Në “Levi’s Stadium” të Santa Clara-s në Kaliforni, sfida e titullit nuk pati histori, me një paraqitje dominuese të skuadrës së Seattle, që mundi New England Patriots me rezultatin 29-13.
Ishte një ndeshje ku Seattle Seahawks shfaqën një superioritet taktik dhe fizik duke iu lejuar shumë pak hapësira shpresave të Patriots. Mbrojtja ishte faktori i vërtetë në këtë fitore të Seattle duke mbytur çdo tentativë kundërpërgjigjeje të New England dhe duke lejuar sulmin të menaxhojë kronometrin me kthjelltësi të jashtëzakonshme.
New England Patriots pavarësisht reputacionit të tij, u duk i pafuqishëm të reagojë ndaj lojës në kufijtë e perfektes së Seattle, pasi ndeshja u pa që nuk kishte histori që në periodat e para me Seahawks që vetëm e thellonin avantazhin e tyre ndaj Patriots deri në rezultatin përfundimtar të ndeshjes 29-13. Për Seattle Seahawks bëhet fjalë për një sukses prestigjioz që konfirmon soliditetin e një projekti teknik që e riktheu në çatinë e botës në edicionin e 60 të Super Bowl.
Nëse në fushë pati një skuadër dominuese, spektakli në pushim ndezi një debat që ka ndarë ShBA-në. Protagonist absolut ishte Bad Bunny, që vinte nga triumfi në Grammy me albumin “Debi Tirar Mas Fotos”. Këngëtari portorikan dha një mesazh uniteti: “Bashkë jemi Amerika, e vetmja gjë më e fortë se urrejtja është dashuria”. Në skenë u shfaqën edhe yje si Lady Gaga, Ricky Martin, Cardi B, Pedro Pascal dhe Jessica Alba, në një celebrim të kulturës latine, që shkaktoi zemërimin e konservatorëve.
Nga rezidenca e tij, Donald Trump e sulmoi hapur spektaklin, duke e përcaktuar si “show më i shëmtuar në histori dhe një shpullë në fytyrë për Amerikën”. Presidenti amerikan kritikoi zgjedhjen e NFL-së për t’ia besuar pushimin e finales një artisti që këndon në spanjisht. Trump e refuzoi eventin, duke preferuar të ndjekë në streaming një koncert të Kid Rock.
Atmosfera përreth stadiumit ishte e tensionuar edhe për shkak të sigurisë së brendshme. Deklaratat e Kristi Noem për praninë e agjentëve të ICE për të kontrolluar zonën sollën shqetësim te popullata lokale e Santa Clara, gjysma e së cilës përbëhet nga qytetarë që kanë lindur jashtë SHBA-së.
Pavarësisht përgënjeshtrimeve të NFL-së, spektakli i Bad Bunny — që iu referua dramave sociale, si depërtimi i vogëlushit Liam Ramos — konfirmoi se si Super Bowl mbetet pasqyra e një vendi të fragmentuar thellësisht nga patriotizmi tradicional dhe iniciativat e reja gjithëpërfshirëse.