LIBAN – Të paktën 20 të vrarë prej sulmit izraelit në një ndërtesë banimi

BEJRUT, 24 nëntor /ATSH/ – Një sulm masiv ajror izraelit në qendër të Bejrutit ka vrarë të paktën 20 persona, në sulmin e fundit në kryeqytet në mes të një përshkallëzimi të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut, shkruan BBC.
”Sulmi erdhi pa paralajmërim dhe ishte një përpjekje për të vrarë një zyrtar të lartë të Hezbollahut”, raportuan mediat izraelite.
Sulmi u dëgjua dhe u ndje në të gjithë qytetin dhe shkatërroi të paktën një ndërtesë banimi tetë-katëshe në lagjen Basta me popullsi të dendur.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se është përdorur e ashtuquajtura ”bombë bunker buster”, një lloj arme e përdorur më parë nga Izraeli për të vrarë figurat kryesore të Hezbollahut, duke përfshirë ish-udhëheqësin Hassan Nasrallah.
Numri i të vdekurve u rrit nga 15 në 20 të shtunën pasi shpëtimtarët përdorën makineri të rënda për të pastruar rrënojat dhe për të gjetur trupa.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 60 persona u plagosën dhe se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa testet e ADN-së kryhen në pjesët e gjetura të trupit.
“Ishte një shpërthim i tmerrshëm. Të gjitha dritaret dhe xhamat ishin mbi mua, gruan dhe fëmijët e mi. Shtëpia ime tani është një fushë beteje”, theksoi Ali Nassar, 55 vjeç, i cili jetonte në një ndërtesë aty pranë.
Sipas transmetuesit publik izraelit Kan, sulmi ishte një përpjekje për të vrarë Mohammed Haydar, një zyrtar i lartë i Hezbollahut.
Ligjvënësi i Hezbollahut, Amin Sherri tha se asnjë nga liderët e grupit nuk ishte në ndërtesën e prekur dhe fati i Haydar mbeti i paqartë. /os/