Rama për protestuesit në Londër: Një grusht të verbërish të nxitur nga ata në Tiranë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në fillim të fjalës së tij në takimin që po mbahet sot në Londër, tha se shqiptarët janë kontributorë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në takimin me shqiptarët e Britanisë së Madhe në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, i cili nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar, Rama foli për protestën e disa qytetarëve jashtë godinës ku nbahej takimi të cilët bënin thirrje kundër qeverisë.
“Ju kërkoj ndjesë për një tufë të verbërish atje tek dera, që të mërzitur nga “të verbrit” në Tiranë kishin marrë me vete “librin e shtëpisë” sonë dhe bërtisnin aty përballë. Megjithatë, me keqardhje, por pa asnjë dyshim me vetëdijen që edhe ata janë pjesë e familjes sonë të madhe, unë kam besim se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit të saj”, tha Rama.
Rama iu referua disa thirrjeve nga salla ku po zhvillohet takimi. Salla “The Cooper Box”, në “Queen Elizabeth Olympic Parc” në Londër është veshur kuqezi për këtë takim.
“Më detyrojnë të kujtoj se përpara disa ditësh këtu erdhi për një takim partia tjetër, ajo parti që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj dhe kishit çuar një ftesë për ambasadorin tonë. Ambasadori ktheu përgjigje se ishte i gatshëm të shkonte në takim dhe pastaj ata nuk u bënë më të gjallë”, tha Rama. /k.s/j.p/