E Hënë, 2 Nëntor 2026

LITUANI – Kryeministri Paluckas drejt dorëheqjes?

RIGA, 31 korrik /ATSH-DPA – Kryeministri lituanez Gintautas Paluckas tha se do të japë dorëheqjen mes presionit në rritje për shkak të akuzave për konflikte interesi dhe nepotizëm.

“Kam vendosur të jap dorëheqjen nga detyra e kryeministrit”, njoftoi Paluckas në një deklaratë, duke shtuar se së shpejti do t’ia paraqesë dorëheqjen presidentit, Gitanas Nauseda.

Paluckas është vënë gjithnjë e më shumë nën kritika për shkak të akuzave për marrëveshje të dyshimta biznesi dhe është përballur me thirrje për dorëheqjen e tij, përfshirë edhe nga njëri prej dy partnerëve të koalicionit në qeverinë e tij të qendrës së majtë.

Hetimet janë duke vazhduar për marrëveshjet e kaluara dhe të tashme të biznesit që përfshijnë 45-vjeçarin, i cili deri më tani mohoi çdo konflikt interesi dhe i hodhi poshtë akuzat si sulme të qëllimshme nga kundërshtarët politikë.

Në deklaratën e tij, Paluckas tha se nuk besonte se kishte kryer ndonjë shkelje serioze gjatë mandatit të tij në detyrë. Megjithatë, ai nuk donte ta bënte qeverinë dhe punën e saj peng të “skandaleve”, tha ai.

Paluckas, i cili dha dorëheqjen gjithashtu si udhëheqës i social-demokratëve, është kryeministër i Lituanisë që nga nëntori i vitit 2024. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›