LIVE - Zgjedhjet e mesmandatit, amerikanët vendosin për shumicën në Kongres dhe Senat

Amerikanët iu drejtuan të martën kutive të votimit për zgjedhjet e mesmandatit, një proces i rëndësishëm elektoral që do të përcaktojë përbërjen e Kongresit amerikan dhe kontrollin e tij për pjesën e mbetur të mandatit presidencial të Donald Trump. Votimi u zhvillua në të gjitha shtetet e SHBA-së, ndërsa republikanët synojnë të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, të cilat aktualisht i kontrollojnë.
Vëmendja kryesore u përqendrua te gara për Senatin, ku demokratëve u nevojiten të fitojnë të paktën tri nga gjashtë garat e konsideruara të hapura për të arritur shumicën prej 51 vendesh. Shtetet ku gara u ndoq me interes të veçantë ishin Alaska, Kansas, Iowa, Maine, Ohio dhe Texas. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ku të gjitha 435 vendet ishin në votim, demokratët synojnë të përmbysnin shumicën e ngushtë republikane.
Një nga temat kryesore të ditës ishte gjendja ekonomike, e cila rezultoi shqetësimi më i madh i votuesve. Sipas një sondazhi kombëtar me mbi 79 000 persona, 39% e të pyeturve e renditën ekonominë si problemin më të rëndësishëm të vendit, ndërsa 32% përmendën gjendjen e demokracisë dhe 14% emigracionin. Po sipas këtij sondazhi, 75% e votuesve e vlerësuan ekonominë si jo të mirë ose të dobët, ndërsa 44% thanë se gjendja financiare e familjeve të tyre ishte përkeqësuar krahasuar me dy vite më parë.
Të dhënat treguan gjithashtu pakënaqësi të gjerë me drejtimin e vendit. Rreth 38% e të anketuarve thanë se ishin të zemëruar me situatën në SHBA, ndërsa 37% u shprehën të pakënaqur. Vetëm 18% deklaruan se ishin të kënaqur dhe 7% se ndiheshin entuziastë. Këto rezultate pasqyrojnë klimën politike dhe ekonomike në të cilën u zhvilluan zgjedhjet.
Gjatë ditës së votimit pati edhe disa probleme teknike dhe vështirësi të shkaktuara nga moti. Në Westchester County, në shtetin e Nju Jorkut, u raportuan probleme me pajisjet e skanimit të fletëvotimeve, ndërsa përmbytjet në Florida detyruan zhvendosjen e disa qendrave të votimit. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave amerikane, procesi vijoi në pjesën më të madhe të vendit, me autoritetet që morën masa për të garantuar numërimin e votave.
Vëmendja tashmë është përqendruar te numërimi i votave dhe rezultatet e garave më të ngushta ndërsa rezultatet e para pritet të japin një panoramë të përbërjes së ardhshme të Kongresit, por gara të afërta mund të kërkojnë më shumë kohë për t’u shpallur zyrtarisht.
Zgjedhjet e mesmandatit shihen si një provë e rëndësishme për administratën Trump, pasi rezultati do të përcaktojë edhe hapësirën politike që do të ketë presidenti për të zbatuar programin e tij gjatë dy viteve të mbetura të mandatit.
14 Updates
23:35
Zgjedhjet në SHBA, Polymarket u jep demokratëve epërsi në garën për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve
Demokratët kanë një epërsi në tregjet e parashikimeve për kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, sipas të dhënave të platformës Polymarket, një prej tregjeve më të mëdha të parashikimeve të decentralizuara në botë.
Të dhënat, të publikuara ndërsa votimi për zgjedhjet e mesmandatit vijon, u japin demokratëve 74% mundësi për të fituar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, një rezultat që do të kufizonte hapësirën e manovrimit të presidentit Donald Trump.
Sipas platformës, demokratët kanë 76% mundësi të fitojnë shumicën në Senat, ndërsa për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve kjo shifër arrin në 95%.
Ndërkohë, Polymarket vlerëson në 23% mundësinë që republikanët të mbajnë Senatin, ndërsa demokratët të fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve. Mundësia që republikanët të kontrollojnë të dyja dhomat vlerësohet në 5%, ndërsa ajo që demokratët të fitojnë Senatin dhe republikanët Dhomën e Përfaqësuesve në vetëm 1%.
Të dhënat e platformës, të paraqitura në orën 00:01 sipas orës greke, ndryshojnë në varësi të transaksioneve të kryera nga përdoruesit.
Në garat për Senatin, demokratët kanë epërsi në parashikimet e Polymarket në gjashtë nga shtatë garat e konsideruara vendimtare.
Në Michigan, mundësia e një fitoreje demokrate vlerësohet në 76%, ndërsa në Teksas, shtet tradicionalisht republikan, në 74%. Në Ohajo kjo shifër arrin në 72%, në Maine në 70%, në Alaskë në 69% dhe në Kansas në 64%.
Gara në Iowa paraqitet më e ngushtë, me demokratët dhe republikanët në kuotën 50%, pa një epërsi të qartë.

23:32
Afro 59 milionë amerikanë kanë votuar para kohe në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA
Gati 59 milionë amerikanë kanë votuar para kohe në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në Shtetet e Bashkuara, me më shumë se gjysmën e tyre që kanë zgjedhur të votojnë personalisht. Të dhënat janë publikuar të martën nga Laboratori i Zgjedhjeve i Universitetit të Floridës.
Sipas sistemit të gjurmimit, deri në mëngjesin e së martës janë regjistruar rreth 59 milionë fletëvotime të hershme në të gjithë vendin. Prej tyre, 31.9 milionë janë hedhur personalisht, ndërsa 27.1 milionë janë kthyer përmes postës.
Kjo shënon një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, kur rreth 45.9 milionë amerikanë votuan para Ditës së Zgjedhjeve. Të dhënat përpilohen nga Laboratori i Zgjedhjeve dhe mirëmbahen nga shkencëtari politik Michael McDonald, i cili mbledh statistikat e votimit të hershëm nga autoritetet zgjedhore të shteteve.
Gjurmuesi përmban të dhëna për votimin personal dhe atë me postë, si dhe informacione demografike dhe mbi përkatësinë partiake të votuesve, aty ku këto të dhëna janë të disponueshme.
Megjithatë, shifrat nuk tregojnë se për cilët kandidatë kanë votuar qytetarët, pasi fletët e votimit numërohen në Ditën e Zgjedhjeve, ndonëse disa shtete lejojnë përpunimin e tyre paraprak. Gjithashtu, të dhënat mbi përkatësinë partiake nuk janë të plota në nivel kombëtar, pasi jo të gjitha shtetet regjistrojnë preferencën politike të votuesve.
Laboratori paralajmëron se raportimi nuk bëhet çdo ditë në të gjitha shtetet, ndaj shifrat më të fundit mund t’u referohen periudhave të ndryshme kohore.
Votimi i parakohshëm është kthyer në një praktikë gjithnjë e më të përhapur në SHBA, duke u dhënë mundësi qytetarëve të votojnë personalisht përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve ose të dërgojnë fletët e votimit përmes postës, në varësi të rregullave të secilit shtet.
Zgjedhjet e mesmandatit të 2026-s konsiderohen të rëndësishme për balancat politike në SHBA. Amerikanët votojnë për të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 senatorë, si dhe për një sërë funksionesh të tjera shtetërore dhe lokale.
23:27
Kostreci sjell zhvillimet nga SHBA: Pjesëmarrje e konsiderueshme dhe interes i lartë për zgjedhjet
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja shqiptare në SHBA, Keida Kostreci, solli zhvillimet e fundit nga zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Ajo tha se në orët në vijim pritet të krijohet një panoramë më e qartë për disa prej garave, ndërsa theksoi se interesi për këto zgjedhje ka qenë i lartë dhe pjesëmarrja e konsiderueshme. Sipas saj, shumë amerikanë kanë votuar edhe përpara ditës së zgjedhjeve, përmes postës ose në qendrat e votimit.
“Për një ose dy orë do të kemi një ide më të qartë, të paktën për disa nga garat. Ka pasur interes të madh për këto zgjedhje dhe pritshmëritë janë të mëdha nga të dyja partitë. Pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme. Ka pasur edhe amerikanë që kanë votuar më herët, duke i dërguar fletët e votimit me postë ose duke votuar në qendrat e votimit. Ka qenë një numër i lartë amerikanësh që kanë përfituar nga kjo mundësi. Kemi disa gara që janë shumë të ngushta. Po përqendrohem te Senati, sepse demokratëve u duhet të marrin katër vende që sot i kanë republikanët, në mënyrë që të sigurojnë shumicën. Disa nga këto vende të Senatit janë në shtete që janë kryesisht republikane. Ka disa gara të rëndësishme, si në Teksas, në Alaskë dhe në Michigan. Në shumë prej këtyre garave, për momentin janë republikanët që e mbajnë vendin në Senat, por sondazhet kanë treguar se garat janë shumë të ngushta. Edhe sondazhistët u kanë dhënë republikanëve disa pikë më shumë, bazuar në faktin se në sondazhet e kaluara ata nuk kanë dalë siç ishte parashikuar”, tha ajo.
Shiko në:

22:57
“Në Texas beteja më e fortë”, Kola Jushi: Demokratët mund ta fitojnë pas 30 vitesh
Gazetarja Denada Kola, e ftuar në emisionin “Now”, ka komentuar zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Ajo e cilësoi këtë përballje si një nga betejat më të forta elektorale, duke theksuar se demokratët nuk kanë arritur të fitojnë në këtë shtet prej rreth 30 vitesh.
Sipas Kolës, një fitore e mundshme demokrate do të kishte rëndësi të veçantë jo vetëm për në Senat, por edhe për simbolikën politike që do të mbartte.
“Për Teksasin është beteja më e fortë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse nuk ka patur nje kandidat demokrat që të ketë fituar. Nëse kjo ndodh, përveçse do të jetë një votë shumë e rëndësishme për Senatin, do të jetë bastion. 30 vite pa fituar demokratët në Teksas. Është një betejë shumë e fortë. Ndërkohë është dhe familja Bush që është duke investuar. Do të jetë një përballje shumë interesante
Nesër në orën 07:00, do të shohim se çfarë do ndodhë në Teksas”, tha ajo.

22:43
Zgjedhjet në SHBA, Mëhilli: Trump kërkon votat e komunitetit hebraik dhe sulmon kandidaten demokrate në Alaskë
Gazetarja Erla Mëhilli solli në “Now” zhvillimet e fundit nga zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.
Sipas Mëhillit, Trump u ka bërë thirrje anëtarëve të komunitetit hebraik në Nju Jork që të votojnë, duke theksuar se çdo votë ka rëndësi ndërsa ka vënë në shënjestër kandidaten demokrate për Senatin në Alaskë, duke sugjeruar dhe arrestimin e saj
“Presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje komunitetit hebraik të Nju Jorkut: ‘Çdo votë ka rëndësi’. Gjithashtu, përmes postimeve, ka mbështetur kandidatët e tij dhe ka sulmuar rivalët. Për shembull, ka vënë në shënjestër kandidaten demokrate për Senatin në Alaskë, duke sugjeruar hetimin dhe arrestimin e saj, ndërsa ka ftuar elektoratin të votojë kandidatin republikan Sullivan. Ndërkohë, djali i presidentit, Donald Trump Jr., ka përmendur vrasjen e Charlie Kirk: ‘Votoni njësoj sikur ata të palës tjetër të ishin gati t’ju vrisnin vetëm sepse keni shprehur opinionet tuaja’, ka thënë ai”, tha Mëhilli.

22:23
Gazetarja shqiptare në SHBA: Pse sondazhet duhen parë me kujdes, Trump beson për një rezultat të mirë
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Now me Erla Mëhillin, gazetarja shqiptare në SHBA, Klementina Cenkollari, foli për zgjedhjet e mesmandatit dhe rëndësinë që ato kanë për presidentin Donald Trump.
Ajo theksoi se, pavarësisht se në këto zgjedhje nuk votohet drejtpërdrejt për Trump, vetë presidenti u ka kërkuar qytetarëve që ta konsiderojnë emrin e tij kur të votojnë. Për këtë arsye, zgjedhjet shihen edhe si një votëbesim ose mosbesim ndaj presidentit.
Gazetarja u ndal edhe te sondazhet, duke theksuar se analistët bëjnë thirrje për kujdes në interpretimin e tyre.
Cenkollari tha gjithashtu se Trump ka deklaruar se do ta pranojë rezultatin, nëse zgjedhjet do të jenë të drejta.
“Pavarësisht se sot nuk votohet për zotin Trump, ai vetë ka thënë: Kur të shkoni në qendrat e votimit, mendoni sikur emri im të jetë aty. Kjo sepse këto zgjedhje konsiderohen si një votëbesim ose mosbesim ndaj presidentit. Trump thotë se këto zgjedhje do të shkojnë më mirë nga sa parashikojnë ekspertët apo edhe mbështetësit e tij. Analistët këmbëngulin se duhet të tregohet kujdes me sondazhet, pasi në epokën Trump është shumë e vështirë t’u besohet atyre. Këtu i referohemi edhe zgjedhjeve të fundit presidenciale, kur sondazhet e nxirrnin Trump humbës përballë Harris. Zoti Trump ka deklaruar se do ta pranojë rezultatin, nëse zgjedhjet do të jenë të drejta. Një tjetër deklaratë e tij, që lidhet me mundësinë e humbjes së kontrollit të Kongresit, është se do të kthehet në ‘zotin e vetos’. Ai është shprehur se projektligjet që do t’i paraqiten nga Kongresi për t’u kthyer në ligje, do t’i refuzojë, për të bërë të mundur hapjen e një procesi negociatash që do t’i mundësonte atij dhe republikanëve të arrinin në pikën që dëshironin”, tha gazetarja.

21:55
Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, tre astronautë votojnë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor
Tre astronautë amerikanë të NASA-s kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA duke hedhur votat e tyre nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), në një lartësi prej më shumë se 400 kilometrash mbi Tokë.
Anil Menon, Jessica Watkins dhe Luke Delaney i plotësuan fletët e votimit në mënyrë elektronike dhe i dërguan ato përmes një rrjeti të sigurt komunikimi te autoritetet përkatëse zgjedhore.
Lajmin e bëri të ditur Anil Menon përmes një postimi në platformën X, ku shpjegoi se si tre astronautët arritën të merrnin pjesë në procesin zgjedhor, pavarësisht se ndodhen në orbitë.
“Po, mund të votoni edhe nga hapësira! Të tre anëtarët amerikanë të ekuipazhit patën privilegjin të votonin nga Stacioni Hapësinor. Ne plotësuam një fletëvotim elektronik dhe e dërguam në mënyrë të sigurt te zyrtarët përkatës të zgjedhjeve”, shkroi ai.
Në një video të shkurtër, Menon tregoi se e përdori hapësirën e tij personale në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor si një vendvotim të përkohshëm. Pasi plotësoi fletën elektronike, ai e dërgoi atë në Qarkun Harris, në Teksas, ku është i regjistruar për të votuar.

21:35
Çfarë ndodh në SHBA nëse demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit?
Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, të Senatit ose të të dyjave, kjo do të ndryshonte ndjeshëm balancën e pushtetit në Uashington gjatë pjesës së mbetur të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.
Një nga fushat ku kjo do të ndihej më shumë është mbikëqyrja e administratës. Demokratët do të kishin në dispozicion mjete të reja për të hetuar qeverinë e Trump dhe veprimtarinë e saj.
Një tjetër fushë është kontrolli mbi shpenzimet. Ata do të kishin rol në vendimmarrjen për mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve, si dhe mundësinë për të kërkuar anulimin e disa prej ndryshimeve të ndërmarra nga Trump.
Demokratët mund të përdorin gjithashtu Kongresin për të miratuar projektligje që pasqyrojnë prioritetet e tyre në çështje si lufta me Iranin, tarifat, imigracioni dhe zgjedhjet.
Përfaqësuesi Hakeem Jeffries, i cili do të merrte drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve nëse demokratët fitojnë shumicën, ka përmendur tre objektiva të menjëhershme:
Përfundimi i luftës me Iranin, me synimin për të ulur çmimet e energjisë.
Anulimi i shkurtimeve në Medicaid, të parashikuara në projektligjin republikan për uljen e taksave dhe shpenzimeve, si dhe rinovimi i subvencioneve të shtuara për primet e sigurimit shëndetësor përmes Obamacare.
Heqja e tarifave të vendosura nga Trump, me synimin për të ulur çmimet e mallrave.
Përplasjet me presidentin dhe kufizimet
Megjithatë, demokratët do të përballeshin me kufizime në zbatimin e programit të tyre. Ruajtja e unitetit brenda grupit parlamentar do të kërkonte përpjekje, ndërsa Trump mund të mos ishte i gatshëm të bashkëpunonte me një Kongres të kontrolluar nga demokratët.
Përplasjet për financimin e qeverisë mund të bëhen të shpeshta, duke rritur rrezikun e një mbylljeje të institucioneve federale.
“Ajo që ndodh është se unë vë veton ndaj gjithçkaje dhe pastaj vijnë demokratët dhe duan të bëjnë një marrëveshje”, deklaroi Trump javën e kaluar, duke iu referuar mundësisë së bashkëpunimit me një Kongres me shumicë demokrate.
Për të rrëzuar një veto presidenciale nevojiten 67 vota në Senat, një prag më i lartë se 60 votat që kërkohen për miratimin e një projektligji të rëndësishëm.
Mundësi për bashkëpunim dypartiak
Pavarësisht përplasjeve të mundshme, mund të ketë edhe hapësirë për bashkëpunim mes dy partive.
Gjatë mandatit të parë të Trump, pasi republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti bashkëpunoi me demokratët për miratimin e Aktit të Hapit të Parë (First Step Act), një ligj i rëndësishëm për reformën e sistemit të dënimeve.

21:25
Kush janë donatorët më të mëdhenj në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në vitin 2026?
Edhe pse Elon Musk është larguar nga një rol publik në administratën e Donald Trumpit, ai vazhdon të ketë ndikim në politikën amerikane përmes financimit të fushatave dhe organizatave politike.
Sipas një analize të Qendrës Brennan për Drejtësi, Musk është donatori më i madh në ciklin zgjedhor të vitit 2026.
Përmes kontributeve personale dhe kompanisë së tij “United States of America Inc.”, ai ka dhuruar më shumë se 483 milionë dollarë për kandidatët dhe grupet republikane. Kjo shumë është mbi katër herë më e lartë se kontributet e donatorit të dytë më të madh.
Në mesin e donatorëve kryesorë të demokratëve është miliarderi George Soros, i cili ka dhuruar më shumë se 102 milionë dollarë për kandidatët dhe kauzat e kësaj partie, si në emrin e tij, ashtu edhe përmes kompanive dhe organizatave jofitimprurëse.
Ndërkohë, disa donatorë të njohur i kanë shpërndarë kontributet e tyre mes të dyja partive politike. Në këtë grup përfshihet edhe kompania e kriptomonedhave Coinbase Inc.
Edhe Chris Larsen, themeluesi i kompanisë së teknologjisë së pagesave Ripple, ka dhuruar për organizata dhe kauza të lidhura si me republikanët, ashtu edhe me demokratët, sipas analizës së Qendrës Brennan për Drejtësi.

21:25
Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA si “referendum” për presidentin, historia tregon humbje për partinë në pushtet
Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara tradicionalisht shihen si një lloj “referendumi” për performancën e presidentit dhe të partisë në pushtet.
Historia tregon se këto zgjedhje përgjithësisht nuk favorizojnë partinë e presidentit në detyrë. Që nga Lufta e Dytë Botërore, partia e presidentit ka humbur mesatarisht 26 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe katër vende në Senat.
Që kur u vendos zgjedhja e drejtpërdrejtë e senatorëve nga qytetarët, vetëm në tetë zgjedhje të mesit të mandatit, gjatë presidencave të Woodrow Wilson, Franklin Roosevelt, John F. Kennedy, Richard Nixon, Bill Clinton, George W. Bush, Donald Trump dhe Joe Biden, partia e presidentit ka arritur të shtojë përfaqësimin e saj në të paktën njërën nga dy dhomat e Kongresit.
Edhe më e rrallë është rritja e numrit të vendeve njëkohësisht në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Kjo ka ndodhur vetëm dy herë: në vitin 1934, gjatë presidencës së Franklin Roosevelt, dhe në vitin 2002, nën George W. Bush.
Me interes të veçantë janë zgjedhjet e mesit të mandatit që zhvillohen gjatë mandatit të dytë presidencial. Historikisht, humbjet e partisë së presidentit kanë prirjen të jenë më të mëdha se në zgjedhjet e para të mesit të mandatit.
Ky fenomen është aq i zakonshëm në historinë politike amerikane saqë ka marrë edhe një emër: “kruajtja gjashtëvjeçare”. Termi përshkruan konsumimin politik që ndodh rreth vitit të gjashtë të një presidence dhe që shpesh shfaqet përmes humbjeve të partisë në pushtet në Kongres.

21:05
Si funksionon procesi i numërimit të votave dhe kur do të shpallen rezultatet e zgjedhjeve në SHBA
merikane, por në garat e ngushta parashikimet mund të kërkojnë më shumë kohë.
Koha e shpalljes së rezultatit të përgjithshëm do të varet nga diferencat mes kandidatëve dhe nga garat që do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit.
Në vitin 2022, republikanët dhe demokratët vijonin të ishin në një garë të ngushtë për kontrollin e Kongresit amerikan edhe më 9 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.

20:30
Pse Teksasi konservator është kaq i rëndësishëm për Trumpin
Dy vjet më parë, Trump fitoi Lubbock, Teksas, me 70% të votave. Është pothuajse aq konservatore sa mund të jetë.
Qyteti me pluhur i fushave priti tubime fushate dypalëshe javën e kaluar, me Presidentin Trump dhe kandidatin demokrat për Senat, James Talarico, të ndarë vetëm nga disa milje.
Mijëra njerëz mbushën rrugët përreth aeroportit për të parë uljen e Air Force One, dhe më shumë të tjerë u mblodhën në një tubim për kandidatin republikan për Senat, Ken Paxton.
Ajo që dëgjova nga mbështetësit e Talarico-s ishte një përzierje shprese dhe tmerri.
Shpresa ishte që kandidati i tyre do të ishte demokrati i parë në më shumë se tre dekada që fitonte një garë në të gjithë shtetin në Teksas. Frika ishte se ky do të ishte vetëm shembulli më i fundit i zhdukjes së optimizmit demokrat.
Strategët republikanë me të cilët fola e kishin mendjen qartë në lidhje me sfidën.
Ndoshta shqetësimi i tyre më i madh është se nëse demokratët ia dalin mbanë, përpjekjet e tyre do të drejtohen nga Teksasi përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028, duke i detyruar republikanët të mbrojnë atë që ishte terren i sigurt vetëm pak vite më parë.
Mund të lexoni më shumë rreth kësaj dhe zgjedhjeve të mesit të mandatit në buletinin tim US Politics Unspun .

20:01
Defekte në sistemet elektronike, probleme me votimin në Florida dhe Nju Jork
Një problem teknik në një sistem elektronik shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të votimit në të gjitha qendrat e votimit në Qarkun Broward, në Florida, gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.
Sipas kreut të autoritetit lokal të zgjedhjeve, Joe Scott, defekti zgjati rreth 20 minuta dhe preku të gjitha qendrat e votimit në qark.
“Ky problem preku të gjithë qarkun”, tha Scott, duke u bërë thirrje votuesve që ishin larguar pa votuar të ktheheshin në qendrat e votimit përpara mbylljes së tyre.
Ai shpjegoi se mosfunksionimi u konstatua në një sistem skanimi, i cili është projektuar për të siguruar që qytetarët të marrin fletën e saktë të votimit në qendrat që mbulojnë më shumë se një zonë zgjedhore. Megjithatë, sistemi i refuzoi gabimisht të gjitha fletët e votimit, ndaj u desh që ky kontroll të anashkalohej për të vijuar procesin.
“Askush nuk votoi me fletën e gabuar të votimit. Asnjë numërim nuk u prek”, siguroi zyrtari.
Ndërkohë, probleme me makineritë e skanimit të fletëve të votimit janë raportuar në Qarkun Westchester, në Nju Jork, ku pajisjet nuk po pranojnë fletët e votimit në letër në qendrat e votimit në të gjithë qarkun.
Sipas një deklarate të autoriteteve lokale, pavarësisht vështirësive teknike, nuk ka rrezik për humbjen e votave.
“Ne duam t’i sigurojmë çdo votuesi se vota e tij llogaritet, fletëvotimi i tij do të mbetet i sigurt dhe vota e tij do të numërohet”, thuhet në një postim të Qarkut Westchester në platformën X.
Në një mesazh me video, ekzekutivi i Qarkut Westchester, Ken Jenkins, demokrat, tha se problemi po prekte të gjithë rajonin, por se në atë moment nuk shihej e nevojshme zgjatja e orarit të funksionimit të qendrave të votimit.
“Qytetarët duhet ta dinë se vota e tyre do të numërohet. Pikë”, deklaroi ai, duke i nxitur votuesit të vijonin të paraqiteshin në qendrat e votimit.
Jenkins shpjegoi se votuesit mund t’i plotësonin fletët e votimit si zakonisht dhe t’i vendosnin ato në qeset e posaçme portokalli, duke ndjekur udhëzimet e zyrtarëve zgjedhorë.
Nga ana tjetër, Komisioni Zgjedhor i Shtetit të Nju Jorkut njoftoi se ishte në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit.
Sipas Komisionit, votimi nuk ishte ndërprerë. Procedurat e planifikuara të emergjencës ishin aktivizuar, ndërsa fletët e plotësuara të votimit po ruheshin në mënyrë të sigurt, nën mbikëqyrjen ndërpartiake, dhe do të numëroheshin normalisht.

18:00
Senatori republikan i Alaskës, Dan Sullivan, u bën thirrje njerëzve të votojnë për “Dan Sullivanin e duhur”
Senatori republikan në detyrë, Dan Sullivan, ka akuzuar kandidaten demokrate për Senatin, Mary Peltola, dhe udhëheqësin e pakicës në Senat, Chuck Schumer, se kanë krijuar një skemë që, sipas tij, mund të çojë në ngatërrimin e votuesve në Alaskë.
Sullivan pretendon se mijëra banorë të Alaskës mund të hedhin poshtë votën e tyre për shkak të pranisë në fletën e votimit të një kandidati tjetër me të njëjtin emër, Dan Sullivan, një mësues në pension.
Duke folur me gazetarët në Anchorage, pasi votoi në Kopshtin Zoologjik të Alaskës, senatori e cilësoi këtë situatë si “skandalin më të madh zgjedhor dhe skandalin më të madh të mashtrimit në historinë e Alaskës”.
Megjithatë, Sullivan deklaroi se do ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve edhe në rast humbjeje, pasi të numëroheshin dhe certifikoheshin të gjitha votat e ligjshme.
Ndërkohë, guvernatori republikan i Alaskës, Mike Dunleavy, ka nisur një hetim për të parë nëse demokratët janë përpjekur të ngatërrojnë votuesit. Javën e kaluar, ai paralajmëroi se, nëse hetimi zbulon shkelje, rezultatet e garës për Senatin mund të pezullohen ose ndryshohen.
Sullivan tha se shpreson që banorët e Alaskës, si republikanët ashtu edhe demokratët, të jenë të indinjuar nga kjo situatë. Sipas tij, mënyra se si është trajtuar kjo çështje përbën një mungesë respekti ndaj votuesve.
“ Njerëzit me të cilët po flas janë të indinjuar. Dhe ajo që u them atyre është se mënyra më e mirë për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë është të dalin dhe të votojnë për mua, të votojnë për Dan Sullivanin e duhur dhe të mos e hedhin votën e tyre”, u shpreh senatori.
