Sulme kibernetike ndaj supermarketeve në Europë, Italia mbledh urgjentisht shefat e inteligjencës

Qeveria italiane ka zhvilluar një takim urgjent me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës, pas një vale sulmesh kibernetike që kanë goditur sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarkete në të paktën 11 vende europiane gjatë ditëve të fundit.
Sulmet kanë shkaktuar rritjen e temperaturave në pajisjet frigoriferike, duke detyruar supermarketet në të paktën 10 vende të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Holandën, të hedhin sasi të konsiderueshme ushqimesh. E prekur nga incidentet është edhe Mbretëria e Bashkuar. Deri më tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet, ndërsa motivet mbeten të paqarta.
Qeveria italiane ka deklaruar se ndikimi në vend është ende i kufizuar, duke bërë të ditur se janë prekur kryesisht dyqanet me sisteme të vjetruara sigurie. Sipas raportimeve, rreth 20 pika shitjeje janë goditur në Itali. Pavarësisht kësaj, ministrat janë takuar me drejtuesit e inteligjencës dhe përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, e cila ka ofruar udhëzime teknike për bizneset e prekura.
Përmasat e dëmeve janë konfirmuar edhe nga Giuseppe Spadaro, drejtues i një grupi që administron supermarketet Coop në Siçili. Ai bëri të ditur se katër nga 300 dyqanet e grupit janë goditur nga sulmet, duke theksuar për gazetën Corriere della Sera: “Na u desh të hidhnim gjithçka. Raftet janë bosh”.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka bërë të ditur se agjencitë e tij po bashkëpunojnë me autoritetet kombëtare për të koordinuar një përgjigje të përbashkët ndaj incidenteve. Zëdhënësi i BE-së, Thomas Regnier, paralajmëroi se bëhet fjalë për incidente që nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes dhe qëndrueshmërisë kolektive përballë kërcënimeve kibernetike
Lajme të Sugjeruara