LONDËR – Merz: Gjermania dhe SHBA-ja së shpejti marrëveshje për dërgimin e sistemeve “Patriot” në Ukrainë

LONDËR, 17 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka shprehur besimin se Gjermania së shpejti do të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë.
Gjatë një vizite sot në Londër, Merz tha se ministrat e Mbrojtjes të dy vendeve po negocionin detajet teknike, duke i përshkruar bisedimet e tyre si “shumë konkrete”.
“Sistemet e mbrojtjes “Patriot”, gjithashtu duhet të transportohen dhe të dislokohen. Kjo nuk është çështje orësh. Është çështje ditësh, ndoshta edhe javësh”, tha Merz.
Sistemet “Patriot” mund të përdoren për të interceptuar avionë, raketa balistike dhe raketa kruz.
Objektivat mund të goditen në një distancë prej rreth 100 kilometrash dhe në lartësi deri në 30 kilometra.
Deklarata e Merz vjen pas vizitës së ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius të hënën në Uashington, gjatë së cilës ai u takua me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Plani fillestar i Gjermanisë ishte të blinte dy sisteme “Patriot”, secili me një kosto prej rreth 1 miliard eurosh (1,16 miliardë dollarë) nga SHBA-ja dhe t’i dorëzonte ato direkt në Ukrainë.
Megjithatë, meqenëse sistemet nuk janë ende të disponueshme, forcat e armatosura të Gjermanisë, ose Bundeswehr, tani planifikojnë t’i dorëzojnë Ukrainës dy nga nëntë sistemet e mbetura “Patriot” – dhe më vonë të marrin zëvendësime nga SHBA-ja. //a.i/