LONDËR – Shërbimi sekret: Irani kërcënim i vazhdueshëm për BM

LONDËR, 10 korrik /ATSH/ – Britania e Madhe përballet me një kërcënim të vazhdueshëm dhe të paparashikueshëm nga Irani, paralajmëroi sot një raport i shërbimit sekret.
Komisioni i Shërbimeve Sekrete në BM bëri të ditur sot se Irani ka shtuar ndjeshëm kërcënimet fizike ndaj personave që ndodhen në territorin britanik që nga viti 2022.
Komisioni i Inteligjencës dhe Sigurisë në parlament deklaroi se rreziku që u kanoset disidentëve iranianë si dhe interesave izraelite është në të njëjtin nivel me kërcënimin nga Rusia.
Raporti tha se midis janarit 2022 dhe gushtit 2023 ka pasur të paktën 15 përpjekje për vrasje ose rrëmbim ndaj shtetasve ose banorëve britanikë.
“Irani paraqet një kërcënim të gjerë, të vazhdueshëm dhe të paparashikueshëm për Britaninë e Madhe”, tha Kevan Jones, anëtar i Dhomës së Lordëve dhe kryetar i komisionit.
Ambasada e Iranit në Londër i mohoi raportet, duke i përshkruar akuzat si të pabazuara dhe politikisht të motivuara.
Raporti i komisionit shtoi se Irani nuk është aq strategjik sa Rusia ose Kina dhe vepron disi në mënyrë të çrregullt, me “oreks të lartë për rrezik” dhe “valë aktivitetesh”, në vend që të ketë një plan të qëndrueshëm. /Ad.Ab./ /a.i/