BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se shanset po përmirësohen për një armëpushim në Gazë, pas një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.
Duke folur sot në Vjenë, Wadephul, pas bisedimeve me homologët e tij austriakë dhe izraelitë, tha se ishte optimist se mund të arrihej një “rezultat i mirë”.
Ai bëri thirrje që të ushtrohet presion mbi organizatën ekstremiste palestineze Hamas.
“Hamasi nuk duhet të ketë një të ardhme”, tha Wadephul.
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili më parë zhvilloi bisedime me Wadephul dhe diplomaten e lartë austriake, Beate Meinl-Reisinger, ra dakord se armëpushimi në Gazë ishte i arritshëm.
Meinl-Reisinger e përshkroi momentin aktual si një “mundësi historike” – për të stabilizuar të gjithë rajonin, duke theksuar se pas 642 ditësh lufte në Gazë, marrëveshja ishte vonuar shumë.
Ministrat gjermanë dhe austriakë i kërkuan sërish Izraelit të mundësonte një përmirësim të shpejtë të situatës humanitare në Rripin e Gazës.
Wadephul dhe Meinl-Reisinger theksuan se pezullimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gazë, siç po diskutohet aktualisht në nivelin e BE-së, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. //a.i/