E Hënë, 2 Nëntor 2026

LVV: Rama të pendohet për qëndrimet e gabuara të së kaluarës rreth Gjykatës Speciale

PRISHTINË, 16 tetor/ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me protestën që po organizohet në Tiranë në përkrahje ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook Lëvizja Vetëvendosje thotë se UÇK nuk ishte grup kriminal dhe për krime lufte duhet të gjykohet Serbia, megjithatë LVV thotë se qëndrimet e gabuara të politikanëve sollën Gjykatën Speciale.

LVV ka deklaruar se për këto qëndrime politikanët dhe aktorë të ndryshëm duhet të reflektojnë dhe të shprehin pendesë për qëndrimet e gabuara të së kaluarës duke përmendur si shembull kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Sipas LVV, Rama kishte ardhur në Kosovë për të bindur palët për të votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale.

“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet në postimin e LVV në Facebook.

Tutje, LVV thotë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar që nga viti 2015 se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën, duke thënë se e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe ‘veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë’.

“Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë”, thuhet tutje në reagim.

Rama: Kam lobuar kudo e kurdo për Thaçin, LVV i ngatërron marrëdhëniet institucionale me balotazhet komunale

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›