E Hënë, 2 Nëntor 2026

La Poloninë për dashurinë, historia e veçantë e Serdit dhe Roksanës: Jam dashruar më Shqipërinë

Polakja Roksana Nowak prej një kohe të gjatë jeton në Vlorë. Dashuria e solli në shqipëri dhe së bashku me partnerin e saj Serdi Selfo kurorëzuan dashurinë, fryt i së cilës janë dy vajza, 4 dhe 11 vjeç. Të ftuar në “Vizioni i Pasdites” kanë ndarë historinë e dashurisë që bëri Roksanën të vijë në Shqipëri.

Roksana: Janë bërë 14 vite që jam në Shqipëri. E kam mësuar vetë gjuhën duke jetuar. Pas dy vitesh isha në gjendje të komunikoja lehtësisht gjuhën shqipe. Vajzat e dinë shumë mirë gjuhën sepse kanë lindur këtu. Serdi ka mbaruar universitetin një vit para meje në Itali ku u njohëm. Aty realiteti është pak i trishtueshëm dhe dy të rinj nga Evropa Lindore nuk kanë shumë mundësi. Kthimi në Shqipëri është një nga vendimet më të mira që kemi marrë në jetë.

Serdi:  Në fillim, kur mbarova universitetin mendova të vija një herë në Shqipëri. Në periudhën 2008-2009 ishte periudhë pak e vështirë për Italinë. Unë kur u ktheva në Shqipëri gjeta një punë shumë të mirë. I thashë Roksanës “hajde ta provojmë, nëse nuk na ecën largohemi sërish se ne të rinj jemi”. Kur erdhi Roksana u ambientua shumë shpejt, filloi punë. Iu përshtat shumë mirë shqipes dhe filloi të fliste.

Roksana: Kur erdha për herë të parë, erdha me avion dhe ishe errësirë nuk pashë asgjë. Ditën tjetër më çoi në Ksamil dhe ishte shumë bukur. Unë u dashurova menjëherë. Pastaj vendosa të hapja një website që të ndryshoja mendimin e polakëve për Shqipërinë. Tani Shqipëria në sytë e tyre është vetëm pozitive. Prindërit e mi janë dashuruar me Shqipërinë dhe vijnë 2-3 herë në vit.

Serdi: Unë kisha siklet kur shkova për herë të parë në Poloni. Megjithatë shkoi shumë mirë, pavarësisht se unë nuk e flas gjuhën, por Roksana si përkthyese na ka ndihmuar shumë. Tani më ndihmon Sofia (vajza)./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›