“Lahuta e Vjetër”, agroturizmi që ndërthur natyrën, traditën dhe gastronominë shqiptare

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Agroturizmi “Lahuta e Vjetër”, në Kurbin, i nisur 20 vite më parë si kantinë sot është një destinacion i preferuar për vizitorë vendas e të huaj që duan të shijojnë kulinarinë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky agroturizëm, i cili ofron produkte bio dhe gatime tradicionale shqiptare, duke sjellë një përvojë unike mes natyrës dhe shijes
“Në zemër të Kurbinit, aty ku natyra, tradita dhe mikpritja ndërthuren natyrshëm, ndodhet agroturizmi “Lahuta e Vjetër”, një sipërmarrje e lindur nga pasioni për tokën, prodhimin vendas dhe dëshira për t’u ofruar vizitorëve një përvojë autentike”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “falë investimit të realizuar edhe përmes Kredisë së Butë me Garanci Sovrane, sipërmarrja u zgjerua me ndërtimin e një stalle blegtorale dhe krijimin e ambienteve argëtuese për vizitorët”.
“Ajo që nisi si një kantinë e vogël vere, sot është kthyer në një destinacion të mirëfilltë agroturistik, ku vizitorët shijojnë jo vetëm produktet tradicionale, por edhe atmosferën e ngrohtë të jetës rurale shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri thekson se, një nga pikat më të forta të kësaj sipërmarrjeje është bashkëpunimi me deri në 50 fermerë të zonës, duke krijuar një zinxhir të qëndrueshëm furnizimi lokal dhe duke mbështetur drejtpërdrejt ekonominë rurale.
Qeveria shqiptare me linjën e financimit të kredisë së butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxit investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.
1 nga 18/k.s/