E Diel, 1 Nëntor 2026

Në turizëm dhe në rrjetin e shitjes me shumicë e pakicë/ Kosova në vend të tretë për investime në Shqipëri

Kosova renditet si investitori i tretë në Shqipëri sipas Odës Ekonomike në Prishtinë.

“Investimet e kompanive kosovare në Shqipëri tani janë çdo vit e më shumë. Në qoftë se i shohim të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku prej vitit 2014 deri më tani ka arritur në 520 milionë euro. Kosova në Shqipëri renditet si investitori i tretë, për vitin 2025 ka investuar rreth 186 milionë“, u shpreh Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Krahas ndërtimeve përgjatë vijës bregdetare, bizneset kosovare po zgjerojnë rrjetet e shitjes me pakicë e shumicë në vendin tonë.

“Tani është zgjeruar edhe gama e investimeve në sektorë të ndryshëm. Nëse më herët ka prirë sidomos sektori i ndërtimit, i cili vazhdon ende përgjatë vijës bregdetare, ku kompanitë kosovare janë duke ndërtuar me të madhe lagje të tëra e hotele, ndërkohë kemi edhe zgjerim të sektorit të rrjeteve të shitjeve me pakicë e shumicë, si dhe sektorë të tjerë“, shton ai.

Sipas Rafunës, qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta bërë Kosovën një ambient më miqësor për biznesin.

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thekson se kapitali i Kosovës po zgjeron investimet në Shqipëri dhe në shtetet e tjera të rajonit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›