Lahuta hyn në UNESCO, Spiropali: Pjesë e shpirtit tonë kombëtar, kemi detyrim ta mbrojmë

UNESCO ka vendosur përfshirjen e “Lahutës” në Listën e Trashëgimisë Jomateriale, një vendim që është përshëndetur nga Tirana zyrtare.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, përmes një reagimi publik, shprehu emocionet për këtë arritje të madhe kulturore.
Duke e cilësuar si një nga thesaret më të çmuara, Spiropali theksoi se Lahuta është shumë më tepër se një instrument muzikor; ajo është vetë kujtesa e popullit shqiptar.
“Jam e lumtur dhe krenare,” shkruan ministrja. “Lahuta është pjesë e shpirtit tonë kombëtar, një zë i historive, legjendave dhe kujtesës sonë kolektive.”
Ministrja e Jashtme nënvizoi përgjegjësinë që ka brezi i sotëm për ta përcjellë këtë art te pasardhësit.
“Është detyrimi ynë ta mbrojmë dhe ta trashëgojmë këtë pasuri të rrallë tek fëmijët tanë dhe ndër breza, që tingulli i saj të mos shuhet kurrë,” përfundon mesazhin e saj Spiropali.
/rtsh.al/