Lajthia në Gjirokastër pa treg shitjeje, specialisti: Rikthimi i skemës IPARD, një mundësi e rëndësishme

Lajthia po kthehet gjithnjë e më shumë në një kulturë bujqësore me potencial në qarkun e Gjirokastrës. Aktualisht, në këtë qark kultivohen rreth 110 hektarë me lajthi, nga të cilat sigurohen afërsisht 250 ton prodhim në vit.
Megjithëse prodhimi ka shënuar rritje dhe interesi i fermerëve për këtë kulturë mbetet i lartë, sfidat nuk mungojnë. Problemi më i madh me të cilin përballen kultivuesit është mungesa e një tregu të sigurt për shitjen e prodhimit.
Përfaqësues të sektorit të bujqësisë vlerësojnë se një mbështetje më e madhe financiare dhe krijimi i mekanizmave që garantojnë tregun do të ndikonin drejtpërdrejt në zhvillimin e këtij sektori.
Sipas specialistit të bujqësisë, Balil Bineri, rikthimi i skemës IPARD do të ishte një mundësi e rëndësishme për fermerët.
“Shpresojmë shumë tek ipardi. Frenuar zhvillimin e bujqësisë qoftë edhe në rajonin tonë për disa produkte të shpresojmë që me hapjen e thirrjes së ardhshme të IPARDit që mund të jetë e shpejtë të zgjidhet edhe ky problem”, shprehet ai.
Fermerët theksojnë se pa një treg të qëndrueshëm dhe pa politika mbështetëse, potenciali i lajthisë në qarkun e Gjirokastrës rrezikon të mos shfrytëzohet plotësisht.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/