E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazia gjinore dhe balanca punë-jetë, prioritete të reformave për integrimin në BE

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Përfaqësues të institucioneve shtetërore, sektorit privat, organizatave të shoqërisë civile, Bashkimit Evropian dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhen nesër në Tiranë në konferencën “Më shumë zgjedhje përmes balancës punë-jetë”.

Konferenca do të organizohet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Ministrisë Federale Austriake të Punësimit, Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Në fokus të diskutimeve do të jetë Kapitulli 19 i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që lidhet me Politikën Sociale dhe Punësimin, si dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me Direktivën e BE-së për Balancën Punë-Jetë dhe Direktivën për Mundësi të Barabarta.

Sipas organizatorëve, konferenca synon të evidentojë rolin e sektorit privat si një aktor kyç në zbatimin e standardeve evropiane në vendin e punës dhe në përshpejtimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit.

Gjatë aktivitetit do të prezantohen gjithashtu përvoja dhe praktika të mira nga kompani të Ballkanit Perëndimor që kanë zbatuar politika familjare të ndjeshme ndaj gjinisë, me synim krijimin e vendeve të punës më gjithëpërfshirëse dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Konferenca zhvillohet në kuadër të projektit rajonal “Më Shumë Zgjedhje: Politikat e Përgjegjshme Gjinore për Familjen për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor”, i cili mbështet qeveritë dhe bizneset në hartimin dhe zbatimin e politikave që kontribuojnë në barazinë gjinore dhe në harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›