Lamallari: 200 vende vakante pune në Policinë e Burgjeve

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur 200 vende vakante pune në Policinë e Burgjeve, për të gjithë institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ftoi sot punëkërkuesit që plotësojnë kriteret ligjore që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Burgjeve, duke shërbyer me integritet dhe duke kontribuar për sigurinë dhe drejtësinë.
“Nuk është thjesht një punë, por nisja e një karriere në garantimin e sigurisë, respektimin e ligjit dhe në procesin e rehabilitimit e riintegrimit të personave në konflikt me ligjin”, u shpreh më tej ministri.
Personat që do të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Burgjeve përfitojnë dhe u garantohet, në përputhje me legjislacionin në fuqi, policë sigurimi për një periudhë 3-vjeçare, e cila përbën një mbështetje të rëndësishme në aspektin e mbrojtjes shëndetësore dhe financiare gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjithashtu, për disa institucione të ekzekutimit të vendimeve penale sigurohet edhe transporti i punonjësve, si në IEVP Reç (Shkodër), IEVP Peqin, IEVP Fier, në funksion të lehtësimit të aksesit në vendin e punës dhe garantimit të kushteve sa më të mira për shërbimin.
/m.m/r.e/a.f/