Vengu: Investime në radarë dhe burime njerëzore të Forcës Ajrore

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi sot efektivët e Forcës Ajrore dhe një sërë infrastrukturash kritike, duke përfshirë sistemet e radarëve, në kuadër të investimeve të vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
“Jemi në proces investimesh domethënëse, qoftë për përmirësimin e sistemeve të radarëve, qoftë për zgjerimin e kapaciteteve të tyre, në mënyrë që të jenë të ndërveprueshme me NATO-n dhe me komandat përkatëse që mbulojnë zonën e interesit të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit”, deklaroi ministri Vengu, gjatë vizitës.
Ai shtoi se prioritet i qeverisë mbetet zhvillimi i burimeve njerëzore dhe inovacioni brenda Forcës Ajrore.
“Do të vijojmë të investojmë veçanërisht në kapacitetet njerëzore të Forcës Ajrore, me më shumë oportunitete këtë vit për inxhinierë, për gjithë personelin e specializuar që vjen nga bota civile, për më shumë inovacion dhe për një mirëmbajtje gjithnjë e më cilësore të këtyre sistemeve kritike qoftë për mjetet tona, qoftë për mjetet e reja që do t’i bashkohen flotës së Forcës Ajrore Shqiptare”, tha Vengu.
Sipas ministrit, këto investime synojnë të forcojnë ndërveprimin me aleatët dhe të sigurojnë funksionimin optimal të infrastrukturës kritike të vendit, duke rritur kështu gatishmërinë dhe kapacitetet tona mbrojtëse.
/gj.m/a.f/r.e/