E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Miratimi i amnistisë, lajm i mirë për shumë familje shqiptare

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Pas miratimit sot në Kuvend të projektligjit të amnistisë penale, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari u shpreh se “miratimi sot në Kuvendin e Shqipërisë i amnistisë penale në vijim të hartimit dhe miratimit të saj në Këshillin e Ministrave në muajin janar të këtij viti është një lajm i mirë dhe i shumëpritur për shumë familje shqiptare”.

Lamallari tha se këto familje, do të kenë pranë tyre njerëzit e dashur, përfshi kryefamiljarë, gra dhe të mitur, të cilët nga ky moment kanë nevojë më shumë për pranimin dhe mbështetjen nga shoqëria, pa gjykim dhe stigmatizim.

“Amnistia buron nga humanizmi dhe besimi i shoqërisë dhe institucioneve tek forca e ringritjes dhe kontributit të individit mbi një mundësi të dytë dhe jo ndëshkimit apo stigmatizimit të tij, e cila mishërohet përmes vullnetit të qeverisë shqiptare e udhëhequr nga vizioni për një politikë penale e cila duhet të shkëputet nga e shkuara me një natyrë thelbësisht represive dhe të përqafojë mendësinë dhe vlerat evropiane në një rrugëtim pa kthim të integrimit të vendit, qytetarëve dhe institucioneve shqiptare në gjirin e Evropës së bashkuar brenda 2030”, tha Lamallari.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›