E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta kundër investimit në Zvërnec në ditën e nëntëmbëdhjetë

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Protesta kundër investimit në Zvërnec hyri sot në ditën e nëntëmbëdhjetë.

Protestuesit u mblodhën në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan jo drejt godinës së Kryeministrisë, siç kishin lajmëruar, por drejt Parlamentit, aty ku po zhvillohej seanca plenare, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Dorëzoni mandatet”, “Ju erdhi fundi!”, “Parlamenti i krimit”, “Rama jepe dorëheqjen” ishin disa nga thirrjet e protestuesve përpara Parlamentit.

Pas përfundimit të seancës plenare, qytetarën nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Gjatë kalimit para selisë së PD-së ata brohoritën edhe thirrjen “Opozitë e shitur” duke çuar në një përplasje verbale me një grup mbështetësish demokratë.

Më pas, protestuesit vijuan marshimin drejt Kryeministrisë ku me pankarta dhe flamuj përsëritën thirrjet për shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe ndryshimin e ligjeve për zonat e mbrojtura. Ata zhvilluan edhe “Paradën e flamingove”, zogut që është bërë simboli i protestës së tyre.

“Shqiptarët nuk dorëzohen. Shqiptarëve iu ka ardhur në majë të hundës me këta. Nuk ka kullë që zëvendëson një familje, nuk ka koncesion që zëvendëson një fëmijë që largohet. Nuk ka investim që vlen sa një vatër e ndezur në shtëpitë tona. Ata kanë pushtetin, por ne kemi Shqipërinë. Ndaj sot ngrini flamujt sa më lart, të betohemi para njëri-tjetrit se nuk do e lëmë Shqipërinë të zbrazet dhe ta vjedhin këta”, tha një prej aktivistëve në protestë.

Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Në përfundim të fjalimeve të aktivistëve përpara Kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin në rrugë të ndryshme të Tiranës.

Protesta e 19-të kundër investimit në Zvërnec/ Fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 14

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›