Lamallari: Projektligji “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, përafrim me legjislacionin e BE-së

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, projektligjin “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.
Lamallari tha gjatë prezantimit të projektligjit “Për kontrollin e kufirit shtetëror” se nisma ka si qëllim përmbushjen e objektivave afatgjatë, sa i takon politikës së jashtme, sigurisë dhe integrimit evropian.
“Në thelb, ky ligj sjell goxha përafrim me kuadrin e legjislacionit të BE-së, ndërsa çështjet kryesore janë përforcimi i kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufijve, goditja e krimit kufitar, parandalimi i migracionit të paligjshëm, rritja e parametrave të sigurisë kufitare dhe kombëtare, rritja e parametrave të përputhshmërisë me standardet evropiane dhe Schengen të dala këto nga procesi screening”, thai.
Zv/ministri i Brendshëm theksoi se një nga angazhimet e qeverisë shqiptare ndaj Bashkimit Evropian është krijimi i qendrës kombëtare për menaxhimin e integruar të kufirit dhe forcimin e mëtejshëm të sigurisë së rojës bregdetare Frontex.
“Shqipëria është vendi i parë që ka pasur marrëveshje me Frontex për dislokimin e trupave të Frontex në kufijtë shqiptar. Një tjetër element është rritja e sigurisë në zonën e verifikimit kufitar, përmirësimi i sistemit të sigurisë bregdetare dhe kërkim-shpëtimi në det, si edhe përcaktimi i rregullave të qarkullimit lokal kufitar”, cilësoi Lamallari.
Gjithashtu, Lamallari theksoi se projektligji “Për kontrollin e kufirit shtetëror” është hartuar si domosdoshmëri për plotësimin e paketës ligjore me fokus përafrimin e akteve me BE-në, krahas përfitimeve pozitive që sjellë në aspektin e sigurisë kombëtare.
/e.i/j.p/