E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamallari apel drejtuesve të mjeteve: Kujdesi për jetën në timon është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Policia e Shtetit vijon monitorimin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, duke fokusuar veçanërisht kontrollin mbi përdorimin e telefonit dhe mosvendosjen e rripit të sigurimit gjatë drejtimit të mjeteve.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi sot se kujdesi për jetën dhe shëndetin e vet dhe të të tjerëve, kur je në timon, është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

“Nuk ka asgjë më të rëndësishme apo urgjente se kujdesi për jetën dhe shëndetin tënd dhe të të tjerëve, kur je në timon!”, tha ai.

Lamallari theksoi gjithashtu se çdo heqje e vemendjes nga rruga për një mesazh apo telefonatë është rrezik serioz.

“Dije se çdo sekondë që heq sytë nga rruga për një mesazh apo telefonatë, po luan me jetën tënde dhe të të tjerëve. Ky nuk është një gabim i vogël, por është një rrezik që mund të kushtojë përgjithmonë. Nuk ka justifikime e as tolerancë për këdo që kapet me celular në timon. Siguria në rrugë është e panegociueshme”, u shpreh ministri.

Gjatë kontrolleve, Policia publikoi pamje të drejtuesve të mjeteve që janë kapur duke shkelur ligjin, duke përdorur telefonin ose duke mos vendosur rripin e sigurimit.

Autoritetet bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të veprojnë me kujdes maksimal për jetën e tyre dhe të të tjerëve.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›